Kriza politike në Francë duket se po thellohet, ndërsa Partia Socialiste ka bërë të qartë se nuk do të mbështesë më qeverinë e pakicës të udhëhequr nga François Bayrou.
Kreu i socialistëve, Olivier Faure, ka kërkuar hapur një ndryshim kursi, duke i bërë thirrje presidentit Emmanuel Macron të emërojë një kryeministër të qendrës së majtë.
Pas një takimi që u zhvillua të enjten (4 shtator), në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e krizës politike, Faure deklaroi se partia e tij nuk do të “ndryshojë mendje”, duke nënkuptuar se mbështetja për qeverinë aktuale ka përfunduar.
François Bayrou ka kërkuar votëbesim për një propozim që parashikon uljen e buxhetit për vitin 2026 me 43.8 miliardë euro, ndërkohë që votimi pritet të mbahet të hënën (8 shtator). Në këtë klimë tensioni, Olivier Faure ka përsëritur se çdo bashkëpunim me qeverinë do të varet nga miratimi i platformës së socialistëve.
“Një kryeministër i qendrës së majtë do të duhej të zbatonte propozimin tonë të buxhetit”, tha Faure, duke nënvizuar se kjo përfshin rritje taksash dhe rishikimin e vendimit të diskutueshëm të Macron për rritjen e moshës së daljes në pension.
Në anën tjetër të spektrit politik, Jordan Bardella, president i Tubimit Kombëtar të Marine Le Pen, ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, duke theksuar se situata aktuale është e paqëndrueshme.
“Është e qartë se në situatën aktuale, nuk shoh zgjidhje tjetër përveçse t’i drejtohemi popullit francez. Nuk mund të vazhdojmë kështu për dy vjet”, deklaroi Bardella.
Megjithatë, pavarësisht presionit në rritje, vetë Le Pen nuk mund të jetë kandidate për shkak të problemeve të saj ligjore./e.t