Ishte një natë e frikshme në Chioggia, pranë Venezias, ku të hënën në mbrëmje një turiste 30-vjeçare gjermane u godit disa herë me thikë ndërsa po shëtiste qenin e saj.
Gruaja ishte me pushime me partnerin dhe djalin e saj të vogël kur u sulmua dhunshëm nga pas nga një burrë që mbante helmetë, i cili thuhet se është identifikuar tashmë nga forcat e rendit. Britmat e saj alarmuan kalimtarët, të cilët menjëherë nxituan për ta ndihmuar.
Ndër të parët që iu afruan ishte Alessandro Bellemo, një mesfushor i Sampdorias, i shoqëruar nga vëllai i tij, Stefano.
Futbollisti ndodhej në qytetin e tij të lindjes duke kaluar kohë me partneren dhe djalin e tij të porsalindur. Ai ishte në shtëpinë e të vëllait, kur u tremb nga britmat që vinin nga rruga dhe doli me nxitim jashtë për të parë se çfarë po ndodhte. Ndërhyrja e tij ishte vendimtare në shpëtimin e jetës së gruas, e cila iu besua kujdesit të emergjencës të thirrur nga vetë Bellemo dhe disa banorë gjermanofolës të ndërtesës.
Bellemo, kapiteni i parë i Comos të Fabregasit
Pushimet ndërkombëtare i kishin dhënë mesfushorit disa ditë pushim për t’i kaluar në Chioggia, qytetin e tij të lindjes, me partneren dhe djalin e tyre, Pietro, i lindur në fund të prillit. Familja ishte në shtëpinë e vëllait të Bellemos, Stefano, kur ndodhi sulmi.
Për fat të mirë, ata mbërritën në kohë për të kërkuar ndihmë dhe për të ndihmuar turisten e goditur me thikë, duke parandaluar dëme të mëtejshme.
“E shoqëruam pothuajse deri në shtëpinë time”, tha Stefano Bellemo për ‘La Nuova Venezia’, “duke kërkuar ndihmë, gjithashtu me ndihmën e disa banorëve gjermanishtfolës të ndërtesës. Në fillim ajo ishte e vetëdijshme, pastaj gjithnjë e më pak. Por ajo vazhdonte të kërkonte qenin e saj”, tregoi ai.
Futbollisti Bellamo ka qenë pjesë e Comos nga 2019 – 2024 dhe kapiteni i ekipit që ende trajnohet nga Cesc Fabregas./e.t