Presidenti amerikan Donald Trump ka organizuar një darkë me drejtuesit më të lartë të industrisë së teknologjisë në SHBA, në Kopshtin e Trëndafilave, në eventin e parë që zhvillohet në këtë hapësirë pas rinovimeve të fundit.
Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, në listën e të ftuarve pritet të jenë CEO i Meta-s Mark Zuckerberg, CEO i Apple Tim Cook, bashkëthemeluesi i Microsoft Bill Gates dhe CEO i OpenAI Sam Altman.
Një burim për CNN bëri me dije se planet për darkën u përgatitën me shpejtësi dhe përkojnë me një tjetër aktivitet të rëndësishëm që mbahet po mbrëmjen e të enjtes (me orën e SHBA) nga Zonja e Parë, Melania Trump, e cila do të organizojë një event të rrallë publik në Shtëpinë e Bardhë, të përqendruar te inteligjenca artificiale.
CEO i Google dhe i kompanisë mëmë Alphabet, Sundar Pichai, do të mbajë një fjalim në eventin e pasdites të organizuar nga Zonja e Parë dhe më pas do të marrë pjesë në darkën e Kopshtit të Trëndafilave.
Presidenti Trump u ka bërë të ditur ndihmësve të tij që prej disa javësh dëshirën për të hapur me një event të madh Kopshtin e Trëndafilave.
Hapësira e kopshtit është transformuar tërësisht, me heqjen e barit dhe shtrimin e një sipërfaqeje prej guri, duke ndjekur modelin e verandës së Mar-a-Lago, ku Trump shijon darkat në ambient të hapur gjatë fundjavave të tij larg Uashingtonit./e.t