BE në Kosovë: Po tentojnë të kriminalizojnë organizatat joqeveritare

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë këtë të premte se ndihet e “shqetësuar” për raportimet e fundit në mediat, të cilat, sipas saj, po “përpiqen të frikësojnë dhe të kriminalizojnë” punën e organizatave joqeveritare (OJQ).

Reagimi i BE-së erdhi pas një emisioni ku organizata joqeveritare serbe, nga Mitrovica e Veriut u akuzua për “sulm ndaj policisë dhe shtetit të Kosovës”.

“Sikurse mediat, edhe organizatat joqeveritare janë shtyllë thelbësore e shoqërisë civile kosovare, dhe roli i tyre është të vëzhgojnë, analizojnë dhe të kërkojnë llogaridhënie nga institucionet, përfshirë edhe Policinë e Kosovës”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ajo tha se në fund të vitit 2024, organizatat joqeveritare në bashkëpunim me disa organizata të tjera serbe, publikuan një raport publik mbi sjelljen e papërshtatshme të disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe përdorimin e “simboleve të palejuar”.

“Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës e kanë pranuar këtë problem dhe kanë formuar një grup pune për ta adresuar, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë BE-në”, thuhet më tej në reagim. m.p.