Zelensky: Mijëra trupa perëndimore mund të vendosen në Ukrainë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi sot se mijëra trupa mund të vendosen në Ukrainë në përputhje me garancitë e sigurisë të propozuara nga aleatët e saj, sapo të përfundojë lufta e Rusisë kundër vendit të tij.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi të enjten se 26 vende kanë premtuar garanci sigurie për Ukrainën pas luftës, duke përfshirë një forcë ndërkombëtare në tokë, det dhe ajër. Fillimisht, Macron deklaroi se këto vende do të dërgonin trupa në Ukrainë, por më pas sqaroi se një pjesë e tyre do të ofrojnë garanci nga jashtë vendit, përmes trajnimit dhe pajisjes së forcave të Kievit.

“Është e rëndësishme që po diskutojmë të gjitha këto… patjetër që do të jenë mijëra, jo vetëm disa trupa”, tha Zelensky pas takimit me Presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa në Uzhhorod të Ukrainës, sot. Ai theksoi se është ende shumë herët për të folur për detaje.

Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi sot se çdo trupë perëndimore e vendosur në Ukrainë do të konsiderohet një objektiv legjitim për Moskën. m.p.