Në një kasafortë të tejdukshme, të gdhendur në murin pas altarit të një kapelë në veri të Romës, ruhen disa relike të Carlo Acutis. Ato përfshijnë një copëz nga shtrati i tij prej druri, një fragment nga një xhup i tij dhe një pjesë çarçafi që e mbuloi pas vdekjes. Disa tufë flokësh të tij janë ekspozuar edhe në kisha të tjera të kryeqytetit italian dhe më gjerë.
Acutis, i lindur në Londër, por me origjinë italiane, do të shpallet këtë të diel shenjti i parë “milenial” i Kishës Katolike. Ai njihet si “Influenceri i Zotit”, pasi ndërtoi faqe interneti për të përhapur mësimet e fesë. Ndërroi jetë në moshën 15-vjeçare nga leuçemia.
Reliket janë pjesë e një tradite të lashtë që kisha u rezervon figurave më të nderuara dhe u japin besimtarëve një lidhje të prekshme me jetën e tyre. Edhe pse ato që ruhen në kishën “Shën Angela Merici” janë të vogla, prifti Danilo Spagnoletti thotë se kanë fuqi frymëzuese për pelegrinët.
“Lutja pranë mbetjeve të një shenjti i ndihmon njerëzit të përballojnë vështirësitë e jetës,” shprehet ai. “Ky shenjt, megjithëse pati një jetë të shkurtër, ishte i pjekur dhe i veçantë në shumë drejtime. Për të rinjtë është një shembull frymëzimi.”
Acutis, i cili vdiq në vitin 2006, do të kanonizohet nga Papa Leo së bashku me Pier Giorgio Frassati, një tjetër i ri katolik aktivist që ndërroi jetë një shekull më parë. Ngjarja pritet të mbledhë mijëra pelegrinë në Romë.
Kisha i ndan reliket në tre kategori. Ato që ndodhen në “Shën Angela Merici” janë të klasit të dytë dhe të tretë, ndërsa reliket e klasit të parë – si trupi ose pjesë të tij – tërheqin më shumë besimtarë.
Vetëm vitin e fundit, mbi një milion njerëz kanë vizituar qytetin e Asizit, ku trupi i Acutis ruhet në një arkë qelqi në kishën “Santa Maria Maggiore”. Ai është i veshur me bluzën sportive blu, xhinse dhe atlete, ndërsa fytyra i është rikrijuar me një maskë dylli. Zemra e tij ruhet veçmas, në një kuti floriri, në katedralen “San Rufino”. Pjesë të indeve të zemrës kanë udhëtuar në vende të ndryshme të botës si pjesë e përgatitjeve për shenjtërimin e tij.
Nëna e tij, Antonia Salzano, ka udhëtuar gjithashtu anembanë botës, duke treguar historinë e të birit dhe duke dhuruar si kujtim edhe fije flokësh të tij.
Reliket u dhuruan fillimisht nga familja, por pas shenjtërimit të tij do të kalojnë në pronësi të Vatikanit. m.p.