“Free Palestine” në Vlorë: mes lirisë së shprehjes dhe rrezikut të fanatizmit

Nga Ardi Stefa

Në Vlorë, qytetin e Pavarësisë, ku flamuri ynë u ngrit për të shpallur lirinë e Shqipërisë, disa persona vendosën të varin në ballkonin e një shtëpie  private një pankartë gjigande me shkrimin “Free Palestine”. Pa leje, pa respekt për institucionet, pa pyetur askënd. Thjesht, e morën për të mirëqenë që fasadat e qytetit janë pronë private e ideologjive të tyre. Madje edhe fotografohej personi që e vari duke nderuar me grushtin përpjetë.

Dhe tani, megjithëse e di që këto rreshta do të ngrenë debat pyes: Ç’lidhje ka Vlora me Gazën? Ç’lidhje kanë godinat tona me barrikadat e Hamasit? Nëse sot varin pankarta “Free Palestine”, nesër mos vallë do të shpalosin parullat e Intifadës? Apo, edhe më keq, do të kërkojnë që rrugët e Vlorës të bëhen skenë për të luajtur teatër lufte që nuk është i yni?

Personalisht ndiej keqardhje për vuajtjet e urinë e fëmijëve në Gaza, por po aq të drejtë u jap izraelitëve, të cilët duan të zhdukin nga faqja e dheut në organizatë terroristë që palestinezët e frikësuar i përdor si barrikadë për të mbijetuar ushtarakisht e ideologjikisht!

Ironia është e thjeshtë: në një vend ku shumëkush nuk lëviz gishtin për një problem lokal: trafik, plehra, përmbytje, gjenden disa që thërrasin “të shpëtojnë Palestinën” nga ballkonet e Vlorës. Nacionalizmi shqiptar mbase nuk i ndez, por kauzat e huaja u duken më tërheqëse. Shqipëria për ta është shumë e vogël, Palestina shumë e madhe.

Gjithsesi.

Çështja nuk është nëse kanë të drejtë a jo për kauzën që besojnë, por forma dhe mesazhi që përçojnë. Sepse një pankartë e tillë, e vendosur fshehurazi e pa leje, nuk është thjesht një shprehje mendimi: është një akt provokimi.

Ky veprim, pavarësisht se lidhet me një çështje ndërkombëtare shumë të ndjeshme si ajo e Palestinës, ngre disa pyetje serioze për mënyrën se si manifestohen bindjet fetare dhe politike në hapësirat publike.

Së pari, çdo individ ka të drejtë të shprehë mendimin e tij, qoftë edhe për çështje që nuk lidhen drejtpërdrejt me vendin tonë. Megjithatë, kur këto shprehje marrin formën e aktit të imponimit publik, duke vendosur pankarta në godina pa leje, kalojnë kufirin mes lirisë së shprehjes dhe shkeljes së rregullit publik. Kjo nuk është thjesht një çështje ligjore, por edhe një çështje e ruajtjes së kohezionit shoqëror.

Së dyti, nuk mund të injorohet fakti që përdorimi i sloganeve të lidhura me konflikte të dhunshme si Intifada, apo retorika që shpesh shoqëron kauzën palestineze në qarqet fanatike, mbart rrezikun e përhapjes së ideologjive të urrejtjes. Edhe nëse individët që vendosën pankartën nuk e kishin këtë synim, simbolika e tillë në një kontekst të paautorizuar e të pakontrolluar, mund të interpretohet si nxitje ndaj radikalizmit.

Lexo edhe :  PD, një garnizon ushtarak që e ka humbur busullën politike

Shqipëria është një vend që ka jetuar gjithmonë me harmoninë fetare si një nga vlerat më të çmuara. Çdo veprim që mund të minojë këtë ekuilibër, duke importuar konflikte të huaja dhe duke ushqyer narrativat ekstremiste, duhet parë me kujdes të veçantë

Jemi mësuar të themi se harmonia fetare është pasuria jonë më e madhe. Po si do të mbrohet kjo harmoni nëse lejojmë importimin e urrejtjes nga Lindja e Mesme? Çfarë garancie kemi se pankarta e sotme nuk është preludi i një radikalizmi që nesër do të shfaqet me forma më të ashpra?

Nëse sot varin pankarta pa leje, nesër kush na siguron që nuk do të organizojnë “protesta spontane” që imitojnë modelet e rrugëve arabe, ku dhuna shitet si rezistencë?

Vlora është qyteti ku liria u shkrua me gjak shqiptarësh, jo me slogane të huaja. Dhe nëse dikush ka dëshirë të bëjë rezistencë, më mirë të nisë nga këtu: nga mbrojtja e qytetit, nga respektimi i ligjit, nga dashuria për flamurin që kemi, jo nga pankartat që kthejnë fasadat tona në murale të një konflikti që s’është i yni.

Askush nuk u ndalon shqiptarëve të kenë një qëndrim për Palestinën apo për çdo konflikt tjetër. Por kjo duhet bërë në kornizën e ligjit dhe në frymën e demokracisë, jo duke varur flamuj të urrejtjes mbi muret e qytetit. Përndryshe, nëse heshtim, ne vetë i hapim derën radikalizmit.

Sepse në fund, “Free Palestine” i varur në një godinë të Vlorës nuk është solidaritet, është import i urrejtjes. Dhe Vlora, më shumë se kushdo, e di se liria nuk shpallet me pankarta, por fitohet me përgjegjësi.

Ndaj, autoritetet duhet të reagojnë jo vetëm duke ndaluar akte të paligjshme si vendosja e pankartave pa leje, por edhe duke hapur një debat mbi kufirin mes lirisë së shprehjes dhe propagandës radikale. Pa këtë reflektim, rrezikojmë që hapësira publike të kthehet në arenë për ideologji, që nuk u shërbejnë as qytetarëve e as paqes sociale.