Kryeministri i Japonisë, Shigeru Ishiba njoftoi dorëheqjen, pasi ndaj tij ishin shtuar thirrjet për të mbajtur përgjegjësi për humbjen historike në zgjedhjet parlamentare të orrikut.
Ishiba, i cili mori detyrën në tetor, i kishte rezistuar kërkesave nga kundërshtarët kryesisht të krahut të djathtë brenda partisë së tij për më shumë se një muaj, duke thënë se një hap i tillë do të shkaktonte një boshllëk politik kur Japonia përballet me sfida kyçe brenda dhe jashtë vendit.
Dorëheqja erdhi një ditë para se Partia e tij Liberal Demokratike të vendoste nëse do të mbante zgjedhje të parakohshme për udhëheqjen.
Ishiba tha gjatë një konference për shtyp të transmetuar në televizion se do të fillonte një proces për të mbajtur një votim për udhëheqjen e partisë për të zgjedhur zëvendësuesin e tij dhe se nuk kishte nevojë për vendimin e së hënës.
Nëse do të kishte qëndruar në detyrë, ai do të kishte pasur vështirësi në menaxhimin e partisë së tij të përçarë dhe qeverisë së pakicës.
Megjithatë, partitë opozitare janë shumë të përçara për të formuar një koalicion të madh për të rrëzuar qeverinë.
Në javët e fundit, Ishiba ia doli mbanë ta bindte Presidentin e SHBA-së Donald Trump të ulte tarifat që administrata amerikane i vendosi Japonisë nga 25% në 15%.
Tashmë kushdo që bëhet udhëheqësi i ardhshëm mund të vendosë të thërrasë zgjedhje të parakohshme për të kërkuar një mandat. /Kb