Lista Serbe e akuzon KQZ-në për “manipulim politik”

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, e ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës për “manipulim politik” për shkak të përbërjes “të pabarabartë” të këshillave të vendvotimeve për numërimin e votave për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Gjatë një konference për media më 8 shtator, kjo parti pati edhe kritika me listat zgjedhore në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Prandaj, nga Lista Serbe thanë se kanë parashtruar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq, në një konferencë për media tha se, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt të këtij viti, është vërejtur një numër më i vogël i votuesve në disa komuna, veçanërisht në Leposaviq dhe Mitrovicën e Veriut.

Sipas pretendimeve të Simiqit, në Leposaviq në listën e votuesve janë rreth 1.500 më pak votues, ndërsa në Mitrovicën e Veriut rreth 1.200.

“Arritëm të konstatojmë se votuesit në Mitrovicën e Veriut janë fshirë nga qendra e votimit në shkollën fillore ‘Sveti Sava’, ku votojnë qytetarët serbë. Ky është një numër i madh votuesish që mund të ndikojë në mënyrë drastike në rezultatet e zgjedhjeve si për asamblistë, ashtu edhe për kryetar komune”, deklaroi Simiq.

Ai shtoi se në komunën e Graçanicës, afër Prishtinës, është “rritur në mënyrë drastike” numri i votuesve, përkatësisht se ka mbi 2.000 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet parlamentare të shkurtit.

Simiq tha se Lista Serbe nuk ka arritur të marrë shpjegim nga KQZ-ja lidhur me këto çështje dhe i bëri thirrje PZAP-it, si dhe bashkësisë ndërkombëtare, që të reagojnë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar KQZ-së për akuzat e Listës Serbe, por nga ky institucion ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Lexo edhe :  Edhe BE del kundër Kurtit? "Mos ndërhyni në punën e Gjykatës Kushtetuese"

Lista Serbe pretendoi se KQZ-ja i ka shkaktuar dëm kësaj partie edhe sa i përket përbërjes të këshillave të vendvotimeve. m.p.