Lirohet studiuesja ruso-izraelite e rrëmbyer para dy vitesh nga Hezbollahu në Irak

Pas më shumë se nëntëqind ditësh në robëri, doktorantja ruso-izraelite dhe mbështetëse e të drejtave të palestinezëve në Gaza, Elizabeth Tsurkov, është e lirë.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përmes një postimi në rrjetin e tij social, Truth, ku shkroi se 38 vjeçarja, e cila është studente dhe hulumtuese në Universitetin Princeton, më në fund ishte e sigurt.

Tani ndodhet e sigurt në ambasadën amerikane në Irak pas shumë muajsh torture”, shkroi Trump, “Unë do të luftoj gjithmonë për drejtësinë dhe nuk do të dorëzohem kurrë.” Postimin ai e mbylli me një mesazh drejtuar Hamasit, i cili ka ende të paktën njëzet pengje izraelite të rrëmbyera që më 7 tetor 2023: “Liroji pengjet, tani!”

Edhe Tsurkov, e cila ka një motër me shtetësi amerikane, ishte rrëmbyer nga Hezbollahu në Irak në vitin 2023.

Kryeministri irakian, Mohammed Shia al-Sudani, konfirmoi në një postim në X (ish-Twitter) lirimin e akademikes, duke e përshkruar atë si “kulm i përpjekjeve të mëdha të shërbimeve tona të sigurisë gjatë shumë muajve.”

E lindur në Leningrad në vitin 1986, Tsurkov është eksperte e Lindjes së Mesme dhe flet rrjedhshëm gjuhën arabe. Ajo është diplomuar në marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Hebraik të Jerusalemit dhe në shkenca politike në Universitetin e Çikagos.

Siç shkruan La Repubblica, Tsurkov ishte zhdukur më 21 mars të vitit 2023 në Bagdad, në lagjen Karrada, ku ndodhej për të bërë kërkime për disertacionin e saj mbi Lindjen e Mesme. Ajo kishte hyrë në Irak me pasaportë ruse, pasi ajo izraelite do t’i kishte shkaktuar probleme.

Sipas autoriteteve izraelite, grupi që e kishte rrëmbyer ishte milicia shiite Kataib Hezbollah, e mbështetur nga Irani. Në nëntor të dy viteve më parë, ishte transmetuar një video në një televizion irakian, ndoshta e regjistruar nga vetë ajo, për të konfirmuar se ishte gjallë. Në fillim të këtij viti, autoritetet irakiane kishin thënë se Tsurkov ishte ende gjallë dhe se po zhvilloheshin negociata. Në maj, dolën zëra për një marrëveshje të mundshme shkëmbimi midis Bagdadit dhe militantëve. SHBA-të e kishin mohuar çdo zhvillim të afërt. Megjithatë, roli i Uashingtonit nuk ishte dytësor: përfaqësuesi i posaçëm amerikan për çështjet e pengjeve, Adam Boehler, kishte shkuar në Irak në shkurt për të kërkuar lirimin e saj. Edhe Izraeli kishte mobilizuar vendet aleate.

Lexo edhe :  Trazira në Francë, raportohen arrestime të shumta

Tani, pas më shumë se 900 ditësh robëri, ka ardhur lajmi që të gjithë prisnin. Studentja kishte studiuar për revoltën në Siri dhe kishte punuar më parë me një organizatë izraelite për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve në Gaza.

Familja Tsurkov e ka falënderuar presidentin Trump dhe të dërguarin e tij special. “E gjithë familja ime është jashtëzakonisht e lumtur. Me padurim presim të përqafojmë Elizabeth dhe t’i japim gjithë dashurinë që kemi pritur ta ndajmë për 903 ditë.”, ka shkruar Emma Tsurkov në X. Ajo shtoi: “Jemi shumë mirënjohëse ndaj presidentit Trump dhe të dërguarit të tij special, Adam Boehler. Po të mos e kishte bërë Adam kthimin e motrës sime misionin e tij personal, nuk e di ku do të ishim tani.”/kb