Vetëm 440 euro për turistë, paradoksi i “bumit të pushuesve të lirë” u përsërit

Po vijnë më shumë turistë, por po shpenzojnë më pak para. Paradoksi i “bumit të pushuesve të lirë” u përsërit edhe këtë vit. Në gjysmën e  parë të vitit, çdo i huaj që vizitoi Shqipërinë shpenzoi vetëm 440 euro.

Krahasuar me janar-qershorin e vitit të shkuar, shpenzimet e turistëve të huaj u zgjeruan me vetëm 12 euro apo 2.8 për qind.

Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar, shprehet: “Në përgjithësi, një pjesë e madhe e këtyre turistëve kanë ardhur me këtë qëllim, janë ballafaquar me çmimet si në vendet e tyre, kanë ngelur të zhgënjyer, kanë thënë jo se nuk qenka e lirë. Rrjedhimisht kanë shpenzuar më pak”.

Kjo pohohet edhe nga pushuesit e huaj që po rezultojnë turistë “low cost”: “Biletat e avionit janë të lira. Transporti brenda vendit dhe akomodimi gjithashtu, mirëpo ushqimet janë të kushtueshme. Nuk i ngjason promocioneve që kemi parë. Çmimet e larta do të thonë rrjedhimisht më pak shpenzime”.

Më shumë se 4. 7 milionë turistët e ardhur deri në qershor shpenzuan më pak se 2.1 miliardë euro. Krahasuar e janar-qershorin e vitit të shkuar, shpenzimet e  pushuesve të huaj u zgjeruan me vetëm 149 milionë euro apo 7.6 për qind.
Rrahman Kasa thotë: “Synimi jonë është të tërheqim turistët cilësorë. Duhet të kemi shërbim cilësor, që për fat të keq shumë pak ofrohet. Kjo ka disa arsye, por e para infrastruktura, duke filluar nga rrugët, ndriçimi, kazanët e plehrave…”.

Nga ana tjetër, shqiptarët që i kaluan jashtë pushimet deri në qershor shpenzuan plot 1.3 miliardë euro, 91 milionë apo 7.5 për qind më tepër para se një vit më parë. /e.t