Larry Ellison ka zënë vendin e parë në listën e miliarderëve më të pasur të botës, duke i dhënë fund dominimit njëvjeçar të Elon Musk. Pas publikimit të rezultateve tremujore të kompanisë së tij Oracle, pasuria e Ellison u rrit me plot 100 miliardë dollarë brenda një dite, duke arritur në 393 miliardë dollarë.
Sipas Bloomberg Billionaires Index, kjo është rritja më e madhe ditore e pasurisë së regjistruar ndonjëherë. Në këtë mënyrë, Ellison la pas Musk, i cili aktualisht ka një pasuri prej 385 miliardë dollarësh.
Rritja e aksioneve të Oracle
Ellison, 81 vjeç, është bashkëthemelues dhe aktualisht president i Oracle. Shumica e pasurisë së tij lidhet me kompaninë e bazave të të dhënave. Aksionet e Oracle janë rritur ndjeshëm gjatë vitit, dhe vetëm këtë javë u hodhën 41% lart pas rezultateve pozitive dhe pritshmërive të forta për rritjen e infrastrukturës cloud. Ky është rritja më e madhe ditore në historinë e kompanisë.
Marrëveshja me Pentagonin dhe projekti Stargate
Oracle po punon gjithashtu për të hapur tregun e mbrojtjes amerikane për kompanitë më të vogla të teknologjisë, nëpërmjet projektit Oracle Defense Ecosystem. Ky program synon të modernizojë forcat e armatosura me mjete të inteligjencës artificiale, duke përfshirë edhe partneritete me kompani si Meta, Palantir dhe OpenAI.
Por ndikimin më të madh e ka dhënë marrëveshja e fundit e Ellison me presidentin amerikan Donald Trump. Në janar, nga Roosevelt Room e Shtëpisë së Bardhë, Trump shpalli “projektin më të madh infrastrukturor të inteligjencës artificiale në histori”, një sipërmarrje gjigante e quajtur Project Stargate.
Ky projekt përfshin tre kolosë të teknologjisë: Ellison nga Oracle, Sam Altman nga OpenAI dhe Masayoshi Son nga SoftBank, të cilëve iu bashkua edhe fondi sovran i Emirateve të Bashkuara Mgx. Investimi i parashikuar arrin në 500 miliardë dollarë, 100 miliardë menjëherë dhe pjesa tjetër në katër vitet e ardhshme, për ngritjen e qendrave të të dhënave dhe infrastrukturës së nevojshme kompjuterike, me qëllim “garantimin e lidershipit amerikan në AI”.
Nga Bronx te miliarderi nr.1 i botës
I lindur në Bronx më 1944, Ellison u birësua nga xhaxhai dhe halla e tij pasi u braktis nga nëna biologjike. Pas shkollës së lënë përgjysmë, ai nisi karrierën si zhvillues softuerësh. Projekti i tij i parë i madh ishte krijimi i një baze të dhënash për CIA-n, me emrin e koduar Oracle. Sot ai zotëron mbi 40% të aksioneve të kompanisë, dhe ka qenë pjesë edhe e bordit të Apple, Tesla dhe një ndër investitorët e hershëm në OpenAI.
Musk në rënie
Ndërkohë, Tesla e Elon Musk ka parë rënie të aksioneve me 13% këtë vit. Pavarësisht kësaj, bordi i kompanisë ka propozuar një paketë të re të majme pagash për Musk, që nëse realizohen objektivat, mund ta shndërrojë në trilionerin e parë të botës./e.t