Ndeshja ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për kualifikueset, e cila mund të vendosë fatet e ekipeve për në fazën play-off të Kupës së Botës, pritet të luhet pas një muaji. Fillimisht e planifikuar të zhvillohej në stadiumin “Rajko Mitić” në Beograd, tashmë Federata e Futbollit e Serbisë po shqyrton mundësinë e zhvendosjes së saj në stadiumin e Leskovcit.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Serbe të Futbollit, Branko Radujko, deklaroi për agjencinë Tanjug se kjo është ndeshja më e rëndësishme në kualifikuese dhe se ajo mbetet përparësia kryesore për momentin.
Ai shtoi se dëshira e Federatës është që ndeshja të luhet në Leskovc dhe se po punohet intensivisht për të marrë miratimin për ndryshimin e vendndodhjes.
“Leskovci është një mjedis ku kombëtarja është përgatitur gjithmonë në qetësi, është pritur me mbështetje dhe ka regjistruar rezultate pozitive. Besoj se do të luajmë atje. Ndeshja kundër Shqipërisë do të vendosë drejtpërdrejt se kush do të kalojë në play-off. Kemi lojtarë që luajnë në klube serioze, në liga serioze, dhe besoj se mund ta bëjnë kombin të lumtur edhe këtë herë”, përfundoi Radujko. m.p.