Mbi dy milionë njerëz janë evakuuar në provincën Punjab në Pakistan pasi përmbytjet përfshinë rajonin lindor të vendit, janë shprehur autoritetet.
150 mijë të tjerë nga evakuuar në provincën Sindh, tha shefi i menaxhimit të katastrofës natyrorë, Inam Haider Malik, duke paralajmëruar se “numrat mund të rriten në ditët në vijim”.
Shirat musonikë kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 900 personave në vend që prej fundit të qershorit, sipas Trupave Ndërkombëtare Mjekësore.
Ndryshimet klimatike kanë përkeqësuar përmbytjet në Pakistan pasi rrebeshet e shiut kanë bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati. Kritikët fajësojnë edhe mungesën e investimeve nga qeveria për menaxhimin e katastrofave si sistemet e alarmit dhe infrastruktura.
Përmbytjet, të cilat kanë shkatërruar ferma e shtëpi, janë shkatërruese për pakistanezët, 40% e të cilëve jetojnë nën vijën e varfërisë.
Shumë familje ndenjën në shtëpi për të mbrojtur gjërat e tyre pavarësisht rrezikut të përmbytjes, thanë muajin e shkuar për BBC banorët në zonat e përmbytura të Punjab.
Ekipet e kërkim-shpëtimit duhet të shkonin derë më derë për të marrë me varka banorët e fshatrave dhe bagëtitë, por edhe kjo metodë ka rreziqe pasi varkat duhet të përballen me rrymat e forta.
Të martën, nëntë persona humbën jetën pasi një varkë u përmbys në lumin Ind. Disa ditë më parë, një incident i ngjashëm i mori jetën pesë personave në periferinë e Jalalpur Pirwala.
Përmbytjet kanë shkaktuar probleme edhe në Indinë fqinje duke vrarë 30 persona dhe prekur mbi 354 mijë.
Autoriteti i Pakistanit për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore tha se ka dërguar tonelata furnizimesh në Punjab me batanije, tenda dhe pajisje për filtrimin e ujit.
Malik tha se do të duhen javë derisa uji të thahet para se të nisë “rehabilitimi” në mijëra fshatra e fusha.
Këtë javë, Kombet e Bashkuara miratuan 5 milionë dollarë si ndihmë për përmbytjet në Pakistan, kurse Departamenti Amerikan i Shtetit miratoi fondet dhe dërgoi një personel për reagimin ndaj katastrofës.
Vendndodhja gjeografike e Pakistanit e bën shumë të cenueshëm nga ndryshimet klimatike sepse vendi përballet me nxehtësinë dhe shiun ekstrem. Akullnajat që po shkrijnë kanë krijuar liqene të reja që rrezikojnë shpërthime akullnajore.
Këtë javë, autoritetet shpallën emergjencën klimatike. Kryeministri Shehbaz Sharif ka urdhëruar funksionarët që të hartojnë një plan 300-ditor për t’iu adresuar sfidave që paraqesin ndryshimet klimatike. /e.t