Polonia ka nisur dërgimin e rreth 40 mijë trupave në kufirin lindor me Bjellorusinë. Qeveria e Varshavës urdhëroi mbylljen e gjithë kufirit me fqinjin lindor, që nga kjo e premte është përfshirë në stërvitje të përbashkëta ushtarake periodike me aleatin e madh, Rusinë.
Stërvitja është pjesë e manovrave intensive “Zapad”, në shqip “Perëndimi”, që inskenojnë një betejë të vërtetë në terren, ku përfshihen trupa tokësore, detare e ajrore. Manovrat, që do të zgjasin deri të martën e ardhshme, zhvillohen pranë zonës kufitare me Poloninë e Lituaninë në Bjellorusi.
Ato kanë marrë një vëmendje të madhe, veçanërisht pas valës së 19 dronëve rusë që shkelën hapësirën ajrore të NATO-s dhe hynë nga Ukraina në Poloni.
Incidenti u duk aksidental. Rusia nuk pranoi se kishte dërguar dronë që kishin në shënjestër territorin polak.
Duke pranuar këtë variant, presidenti amerikan Donald Tramp tha se dronët mund të kenë hyrë gabimisht në Poloni. Në rrjetin social X, kryeministri i Polonisë Donald Tusk iu përgjigj shefit të Shtëpisë së Bardhë duke thënë se do të donte që kjo ngjarje të ishte gabim, por sipas tij, në të vërtetë nuk është kështu/kb