Ish-nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, i cili u la jashtë listët së sigurt për deputet nga Berisha, në një postim të gjatë, mes të tjerash, i tregon PD-së dhe Berishës se si duhet të sillen në këtë legjislaturë të re të Kuvendit të Shqipërisë.
Spaho shprehet se ripërsëritja e skenave të forcës në parlament, si ato të vitit 2022-2025 nuk do të prodhonin rezultat, ndaj opozita duhet të kontribuojë për intergrimin evropian dhe të paraqesë propozime për reformat insitutcionale.
“Mundësia e rrugës është përdorur gjerësisht nga viti 2019, pjesë aktive e së cilës kam qenë dhe unë, ndërkohë që sot jemi ende në opozitë.
Kam qenë dhe vazhdoj të jem i mendimit që opozita duhet të jetë në parlament, pasi aty bëhet politika. Të qenurit në parlament duhet të prodhojë alternativa ndaj maxhorancës. Ripërsëritja e skenave të forcës në parlament, si ato gjatë viteve 2022-2025, protagonist i të cilave kam qenë edhe unë, nuk prodhoi dhe nuk do prodhojë rezultat.
Çfarë alternative duhet të paraqesë opozita?
Mendoj që përshpejtimi i integrimit të vendit në BE, duhet të jetë objektiv kryesor i opozitës gjatë viteve 2025-2029. Ne duhet të kemi strategji të plotë se si vendi mund të bëhet pjesë e BE brenda viteve 2027-2030 si dhe alternativa të detajuara sektoriale për t’ia dhënë qytetarëve si opsionet më të mira e më të shpejta se të maxhorancës, për të arritur objektivin që mbi 90% e qytetarëve shqiptarë e dëshirojnë.
Së dyti, opozita duhet të paraqesë propozimet për reformë institucionale, përfshirë ndryshimet kushtetuese. Pjesë e kësaj pakete duhet të jenë reforma në ekzekutiv, reforma parlamentare, e administratës publike, territoriale, reforma e plotë zgjedhore dhe plotësime në reformën në drejtësi, të cilat koha i ka evidentuar si të domosdoshme.
Së fundi, opozita duhet të ekspozojë kapacitetet njerëzore që disponon për kryerjen e këtyre reformave, duke nxjerrë në rresht të parë kontingjentin e politikanëve të rinj, të përgatitur dhe të gatshëm për të ndërmarrë përsipër rrotacionin politik, aq të nevojshëm për vendin.” – shkruan, veç të tjerash, Spaho./e.t