13 shtator 1971
Nga Leonard Veizi
Ka ngjarje që historia i shënon jo vetëm si fakte, por si mistere të pashpjegueshme, të mbuluara me mjegull, thashetheme dhe heshtje zyrtare. Vdekja e Lin Biao-s është një prej tyre. Ajo nuk është vetëm fundi i një njeriu të fuqishëm, por edhe shëmbëlltyra e një epoke ku asgjë nuk ishte e sigurt, ku realiteti dhe propaganda ngatërroheshin qëllimisht. Për këtë arsye, Ismail Kadare, me syrin e shkrimtarit, nuk kërkon të japë një version përfundimtar, por ngrit një mozaik versionesh, ku e vërteta dhe trillimi shkrihen bashkë, si vetë natyra e pushtetit totalitar….
…Më 13 shtator 1971, ndodhi një nga episodet më enigmatike të historisë moderne të Kinës komuniste: vdekja e Lin Biao-s, njeriu që konsiderohej pasardhësi i Mao Ce Dunit.
Aksidenti ajror ndodhi në orën 3 të mëngjesit më 13 shtator 1971. Të gjithë personat në bord të një avioni “PLAAF Hawker Siddeley Trident”, përfshirë Lin Biao-n dhe disa anëtarë të familjes së tij, humbën jetën kur avioni u përplas në territorin mongol.
Lin Biao ishte Marshalli i Ushtrisë Çlirimtare Popullore, i vetmi Nënkryetar i Partisë Komuniste të Kinës, një nga strategët kryesorë të fitores komuniste gjatë Luftës Civile Kineze, dhe më pas u bë arkitekt i kultit të Mao Ce Dunit gjatë Revolucionit Kulturor. Në vitin 1969, ai u shpall zyrtarisht si pasardhësi i Mao-s, duke e konsoliduar pozitën si njeriu i dytë më i fuqishëm në Kinë.
Por marrëdhëniet mes tij dhe Mao-s u tensionuan shpejt. Dyshimet për ambiciet e Lin-it, së bashku me frikën e këtij të fundit se mund të eliminohej, çuan në një situatë të pasigurt. Sipas versionit zyrtar të Partisë Komuniste Kineze, Lin Biao përgatiti një grusht shteti të koduar me emrin “Projekti 571”, i cili u zbulua dhe dështoi.
Më 13 shtator 1971, Lin Biao, bashkëshortja e tij Ye Qun dhe djali i tyre Lin Liguo, – i cili ishte një oficer i lartë i Forcave Ajrore – u përpoqën të arratiseshin nga Kina me avion drejt Bashkimit Sovjetik. Avioni u rrëzua në Undurkhaan të Mongolisë, ku mbetën të vrarë të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi.
Rrethanat e vdekjes së tij mbeten të errëta. Nuk është vërtetuar nëse avioni u rrëzua për shkak të mungesës së karburantit, defekteve teknike, apo nëse u sabotua qëllimisht. Ka edhe teori që thonë se Lin Biao nuk u nis fare nga Pekini, ose se u vra përpara se të arratisej.
Pas vdekjes, regjimi e shpalli Lin-in “tradhtar” dhe “armik të partisë”. Figura e tij u fshi nga historiografia zyrtare për dekada me radhë, ndërkohë që misteri i vdekjes së tij vazhdon të ngjallë debate edhe sot.

Kadare dhe romani Koncert në fund të dimrit
Në romanin “Koncert në fund të dimrit”, botuar në vitin 1988, Ismail Kadare prek një nga misteret më të mëdha të historisë komuniste të shekullit XX: vdekjen e Lin Biao-s.
Në libër, rrëfehet se:
Një version është ai i publikuar nga autoritetet kineze: Lin Biao kishte organizuar një grusht shteti, dështoi dhe tentoi të arratisej drejt Bashkimit Sovjetik, por avioni i tij u rrëzua në Mongoli.
Një version thoshte se Lin Biao, pas zbulimit të një grushti shteti të koduar, kishte hipur në avion me të shoqen dhe të birin për të ikur drejt Moskës. Avioni, pa karburant, u rrëzua në shkretëtirat e Mongolisë.
Një variant tjetër, që qarkulloi në thashethemet ndërkombëtare, ishte se Lin Biao u eliminua nga vetë njerëzit e Mao Ce Dunit, ndoshta para se të hipte në avion, dhe se historia e “arratisjes” ishte një fabrikim propagandistik.
Madje përmendet edhe hipoteza se Lin Biao mund të ishte ekzekutuar fshehurazi, me rrëzimin e avionit si një skenar i shpikur për të mbuluar një eliminim të pastër politik.
Kadare e përdor këtë episod jo vetëm për të treguar misterin e një figure të lartë kineze, por edhe për të dhënë atmosferën e mosbesimit universal në botën komuniste. Përmes këtij rasti, ai tregon se si pushteti totalitar i mbulonte ngjarjet me versione kontradiktore, duke i lënë qytetarët të jetonin me dyshime, thashetheme dhe frikë.
Nga romani “Koncert në fund të dimrit”
Në mënyrë tipike për stilin e tij, Kadare nuk mjaftohet me versionin zyrtar të ngjarjes, por jep disa variante të mundshme, duke i kthyer ato në pjesë të atmosferës paranojake të regjimeve totalitare. Kadare përdor si personazh shkrimtarin Skënder Bermemën, i cili mbështetet mbi sugjerime të personazhit tjetër Gjergj Dibrës, për të ngritur disa versione nën titullin:
“E vërteta për vdekjen e Lin Biaos” – Synopsis.
A. – Lin Biaoja u vra në një mënyrë që ngjante dhe nuk i ngjante pandehmave që u pëshpëritën për të. Me pak fjalë, mund të thuhet se ai u vra me të gjitha ato mënyra bashkë dhe njëkohësisht me asnjërën prej tyre. Në vdekjen e tij morën pjesë qielli, toka, tradhtia e fëmijëve, ftesa për darkë, vetura e blinduar, propozimi për zhdukje të menjëhershme, fjalët “lereni të ikë”, goditja me raketë, karbonizimi i trupave, avioni në shkretëtirë, fjalia “mirëseardhje për darkë”, mendimi “do të shihemi ndoshta në atë botë, atje ku ftesat janë të tjera”.
Ishte ora dhjetë e mbrëmjes kur Maoja me të shoqen dhe Çu En Lai përcollën mysafirët deri te porta e vilës. “Natën e mirë, mirupafshim. Një natë tjetër do të vini edhe ju.” – “Patjetër, patjetër…”
Vetura e zezë e blinduar e mareshalit rrëshqiti në xhadenë e errët. Ata qëndruan pothuaj në heshtje deri në kohën kur larg u dëgjua një gjëmim. Maoja mori frymë thellë. “Me hollësitë merruni ju,” iu drejtua Çu En Lait dhe të shoqes, dhe u fut i pari në vilë.
B. – Në kthesën automobilistike pranë gurit kilometrik 19, ushtarët që sapo kishin qëlluar me raketa dolën nga prita. Pas dritës verbuese të shpërthimit, gjithçka dukej edhe më e errët dhe më e shurdhët se më parë. Me hapa të mpirë (kishin dy orë e ca që prisnin), ata iu afruan mbeturinave të veturës. E kishin parë vetëm një grimë si vegim, më tepër dritat e saj sesa vetë makinën, kur ajo ngadalësoi në kthesë. Dukej e madhe, e zezë, kurse tani nga mbeturinat nuk kuptohej asgjë. Edhe trupat e të vrarëve mezi dalloheshin në atë mishmash hekurash.
C. – Pra, kishte pasur goditje me raketa vërtet. Veç jo në qiell, kundër një avioni, siç qe më e lehtë të mendohej, por në tokë, kundër një veture.
Makinën kishin arritur ta hiqnin. Pas saj u përpoqën ta zhduknin, madje, në pamundësi për ta fshirë krejt, ta shtynin sa më larg.
Tradhtia e njërit prej fëmijëve gjithashtu kishte pasur. Prej vajzës ose më saktë prej vajzës dhe dhëndrit. Padashur.
D. – Pra, ftesë kishte pasur. Veç jo për në Pekin, por për darkë. Fjalët “ku po shkojmë?” gjithashtu janë shqiptuar, por jo në veturën e mareshalit dhe as prej tij. Ato janë thënë në një furgon, më pas në një avion, nga një anonim. Por kjo do të ndodhte më vonë.
E. – Pas dhjetë orësh, aty nga agimi, në skenë hyri avioni. Ç’ishte ky avion? Një mashtrim, një pjellë e fantazisë?
…Avioni u gjet pak kohë pas rrëzimit, diku nga mesdita. Rojat sovjetike që shërbenin në kufirin mongol vështronin me kureshtje mbeturinat e tij dhe kufomat e shkrumbuara. Por asnjë sy, qoftë dhe i stërvitur, nuk mund të dallonte se disa prej trupave, ndryshe nga të tjerët, ishin dy herë të karbonizuar. Njëfarë bi-karbonati.
F. – Abrakadabra. Ai avion, thua se u poll gjatë natës, kur të gjithë shkuan të flinin. Në gjumin e tyre, plumb, thua se e ëndërritën Maoja, Guja, vetë vetura e djegur.
Kështu, pra, e thjeshtuar nga koha, do të rrëfehej më vonë historia e trishtë e mareshalit: u ftua prej sovranit për darkë, gjatë së cilës u vra. Natën kufoma u ngrit për t’u zhvendosur larg, shumë larg, gjer në shkretëtirën e mongolëve.
G. – Po plumbat në karkasën e djegur? Po të shtënat në avion? Hm… Në këtë histori askush nuk e ka ditur deri në fund të vërtetën. Duhej të ishe brenda mendjes së secilit, të Maos e të mareshalit, në mendjen e të dyve njëkohësisht, për të shpjeguar atë që ndodhi.
Epilog
Në këtë vorbull versionesh, Kadare nuk e jep kurrë “të vërtetën e madhe”, sepse as ajo nuk ekzistonte. Ai e lë misterin të qëndrojë pezull, si një simbol i kohës totalitare ku asgjë nuk ishte e sigurt, as vetë realiteti. Në roman, kjo shumësi interpretimesh bëhet një metaforë e errët për fatin e çdo individi në një sistem që mund ta zhdukte njësoj si me një fjali, si me një avion të rrëzuar në shkretëtirë.