City turpëron United në derbin e Manchester

Manchester City ka fituar 3-0 derbin ndaj Manchester Unted, i luajtur sot mbasdite në “Etihad Stadium”. Pep Guardiola hodhi në fushë nga minuta e parë blerjen e ditës së fundit, Gigio Donnarumma-n, i cili pati një debutim fantastik. Në anën tjetër, Ruben Amorim futi titullar për herë të parë Benjamin Sesko-n, por slloveni nuk arriti të gjejë golin.

Derbi do të zhbllokohej në minutën e 18-të, ku Jeremy Doku futet bukur brenda në zonë dhe asiston për Phil Foden, i cili dërgoi me kokë topin në rrjetën e Bayindir. Rezultati mbeti i njëjtë deri në përfundim të pjesës së parë.

Në fillim të pjesës së dytë, Erling Haaland dyfishoi shifrat pas asistit të Doku. Dy minuta më pas, Mbuemo i afrohet golit me një goditje spektakolare, por pritja e Donnarumma-s ishte akoma edhe më spektakolare. Në minutën e 68-të, Haaland shënon golin e dytë personal dhe të tretin për City-n, pas një kundërsulmi të shpejtë dhe zënies në befasi të mbrojtjes së “Djajve të Kuq”.

Haaland ka shënuar 8 gola dhe ka dhënë 3 asiste në 9 përballjet ndaj Man. United. Manchester City fiton derbin 3-0 dhe rikthehet të fitorja pas dy humbjeve rresht. Man. United duket në gjurmët e sezonit të kaluar. Aktualisht “Djajtë e Kuq” renditen në vendin e 14-të, City në vendin e tetë. m.p.