“Denazifikimi”, nga profesori francez Emmanuel Droit, thellohet në procesin e shuarjes së nazizmit në Gjermaninë e pasluftës dhe problemet që ai solli për popullsinë dhe për pushtuesit.
Francisco Martínez Hoyos
Është viti 1945. Rajhu i Tretë është shembur dhe Gjermania, e pushtuar nga Aleatët, ka humbur pavarësinë e saj. Fituesit e luftës ndërmarrin një spastrim masiv për të parandaluar që mbështetësit e Hitlerit të kenë ndikim në demokracinë e ardhshme. Por midis të mundurve, sistemi i drejtësisë aleate gjen shumë kritikues. Emmanuel Droit, profesor i historisë bashkëkohore, rindërton kontradiktat e këtij procesi në librin Denazifikimi, një studim thelbësor për të kuptuar funksionimin e të ashtuquajturës “kujtesë historike”.
Droit përqendrohet tek dëshmitë e gjermanëve të kohës për të hetuar se si ata reaguan ndaj spastrimeve. Shumica dërrmuese u shprehën kundër gjyqeve, që i konsideronin të padrejta dhe më tepër rezultat i sjelljes arbitrare të amerikanëve, sovjetikëve, britanikëve dhe francezëve. Përballë rrezikut të burgosjes apo të shkarkimit nga puna, shumë prej tyre u detyruan të krijonin rrëfime të zbukuruara mbi rolin e tyre në sistemin nazist.
Fituesit, nga ana e tyre, u gjendën përballë dilemave të vështira. Çfarë duhej bërë me njerëzit me një të kaluar të errët, nëse Gjermania kishte nevojë për shërbimet e tyre në fusha të tilla si arsimi apo biznesi? U vendos që të mos ndëshkoheshin ata që kishin qenë vetëm anëtarë formalë të Partisë Naziste, pa u përfshirë në aktivitete kriminale. Megjithatë, ata që u prekën nga këto masa besonin se drejtësia ishte më e butë me nacional-socialistët e shquar, ndërsa ishte më e ashpër me individët më pak fajtorë. Populli gjerman prirej ta shihte veten më shumë si viktimë e rrethanave sesa si bashkëpunëtor i një diktature.
Edhe antifashistët gjermanë kundërshtuan një denazifikim tepër të ashpër. Aleatët, në fund, e panë amnistinë si mënyrën e duhur për ta rikthyer vendin në normalitet. Të rinjtë ishin të parët që përfituan nga kjo masë, pasi u konsideruan jo përgjegjës, por viktima të indoktrinimit masiv të Hitlerizmit.
Libri i Droit pasqyron se si etika e parimeve dhe etika e përgjegjësisë shpesh bien ndesh. Aleatët dëshironin të ndëshkonin mizoritë naziste, por njëkohësisht duhej të siguronin që shoqëria gjermane të vazhdonte të funksiononte. Shkurt, ishte një çështje e “kuadratimit të rrethit”.
Ky është një studim i vyer për të kuptuar një fenomen aq kompleks sa fundi i një diktature. Lexuesit padyshim do të gjejnë paralele me atë që ndodhi në Spanjë gjatë Tranzicionit.
Burimi: lavanguardia.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi