“Kalimi i Uashingtonit në Delaware”, tabloja monumentale e Muzeut Metropolitan

Nga Leonard Veizi

Nëse dikush e ka provuar ndonjëherë atë ndjesi të papërshkrueshme, atë çast kur ndalon para një vepre arti dhe harron kohën, hapësirën, dhe madje edhe vetveten, atëherë e kupton se për çfarë flitet…

…Në sallën gjigante të Muzeut Metropolitan të Nju Jorkut, mes një heshtjeje thuajse të shenjtë, drita e zbehtë thekson hijet e një kryevepre, e cila të përpin me gjithë stuhinë, akullin dhe frymën e saj heroike. Është tabloja monumentale “Washington Crossing the Delaware”, vepra e Emanuel Leutze-s, e cila qëndron për më shumë se një shekull, jo thjesht si një pikturë, por si një frymë, një ikonë e gjallë e mitit themelues të Shteteve të Bashkuara. Ky nuk është thjesht një imazh, por një histori e pikturuar, një legjendë e skalitur në telajo që vazhdon të flasë me zemrat e atyre që e shohin.

Gjatë një vizite në Muzeun Metropolitan të Nju Jorkut

Një çast që ndryshoi historinë

Tabloja sjell në telajo një nga episodet më dramatike të Luftës për Pavarësi: natën e Krishtlindjes, më 25 dhjetor 1776, kur gjenerali George Washington vendosi të kalonte lumin Delaware me trupat e tij. Ishte një manovër e rrezikshme, mes acarit dhe stuhisë, për të befasuar trupat gjermane hesiane në Trenton, New Jersey. Ky sulm i papritur rezultoi fitimtar, duke i dhënë moral dhe shpresë një ushtrie të lodhur dhe një populli të dyshimtë mbi fatin e kauzës së tyre.

Heroi mbi barkë

Në qendër të tablosë, Washington qëndron drejt mbi një barkë të vogël, i veshur me uniformë blu dhe mantel të kuq, duke sfiduar erën dhe dallgët. Përreth tij, radhë njerëzish shtyjnë dhe rremojnë mes akullit të ngrirë. Çdo figurë në barkë është simbolike: një afro-amerikan, një burrë me origjinë indigjene, fermerë, ushtarë të thjeshtë – të gjithë së bashku, si një mozaik i kolonive që do të formonin shtetin e ri.

Ndriçimi i pikturës, që çan terrin e natës dhe shpërthen në agim, është metaforë e shpresës dhe e lindjes së një kombi.

Një mit më shumë se një dokument

Edhe pse madhështore, tabloja nuk është e saktë në hollësi historike. Barkat e përdorura atë natë ishin shumë më të mëdha, akulli në lumë nuk ishte i shpërndarë siç e ka vizatuar piktori, ndërsa flamuri i përdorur – ai me yje e shirita – ende nuk ekzistonte në atë formë në vitin 1776. Megjithatë, këto pasaktësi janë të qëllimshme: Leutze nuk synonte të bënte një kronikë, por një alegori heroike, një epikë vizuale që të ngjallte frymëzim.

Lexo edhe :  FDNY 55-8087, zjarrfiksja me 11 të vdekur si simbol i guximit më 11 Shtator 2001

Një pikturë evropiane për një ëndërr amerikane

Emanuel Leutze (1816–1868), me origjinë gjermane, por i lidhur ngushtë me Amerikën, e pikturoi këtë vepër në Düsseldorf, Gjermani, në vitin 1851. Në atë kohë, pas dështimit të revolucioneve liberale të vitit 1848, Leutze shpresonte që tabloja e tij të frymëzonte idealet e demokracisë, jo vetëm në Amerikë, por edhe në Evropë.

Një version i parë i tablosë u dogj gjatë bombardimeve të Berlinit në vitin 1942, por ky version i dytë u soll në SHBA dhe u ble nga Muzeu Metropolitan në vitin 1897.

Madhësia dhe rëndësia

Me përmasa gjigante – rreth 3.8 metra e lartë dhe 6.5 metra e gjerë – kjo pikturë dominon hapësirën ku ndodhet. Vizitorët shpesh mbeten të shtangur përballë saj, jo vetëm për madhështinë fizike, por edhe për ndjesinë e epopesë që përcjell. Ajo është një udhëtim në kohë, një rikthim në çastin kur një komb ende i papërtërirë vendosi fatin e vet me guxim.

Një ikonë e pavdekshme

Sot, “Washington Crossing the Delaware” nuk shihet vetëm si një vepër arti. Ajo është një ikonë e identitetit amerikan, një mit i vizatuar në telajo, ku historia, legjenda dhe patriotizmi bashkohen në një tablo të vetme. Nëpërmjet saj, vizitorët e Muzeut Metropolitan përjetojnë jo vetëm një pikturë, por edhe një pjesë të shpirtit të kombit amerikan.

Epilog

Historia e kombeve nuk ndërtohet vetëm mbi data, beteja dhe dokumente, por edhe mbi mitet dhe simbolet që u japin frymë brezave. Tabloja e Leutze-s është dëshmi se si arti ka fuqinë të shndërrojë një episod ushtarak në një narrativë të pavdekshme, në një kujtesë të përbashkët që frymëzon edhe pas dy shekujsh. “Washington Crossing the Delaware” na kujton se kombet e mëdha nuk mjaftohen vetëm me fakte, por i lartësojnë faktet në simbole, për t’i dhënë historisë së tyre kuptim, vazhdimësi dhe madhështi.