Aktori i mirënjohur i skenës shqiptare, Reshat Arbana ka gëzuar ditën e djeshme plot 85 vite jetë. I rrethuar nga miq, kolegë, të afërm e familjarë, artisti i popullit ka ndarë me ta dhe jo vetëm, një mesazh jete, emocionues e domethënës për çdo kënd.
Reshat Arbana kërkon të jetojmë vetëm të tashmen, të shijojmë e gëzojmë njëri-tjetrin e mos të shqetësohemi për të ardhmen.
“Jeta qenka si tre ditët, e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja. Të djeshmen e kaluam me të mirat dhe të këqijat e saj. Sot, Fuqiploti na dha mundësi të gëzojmë një ditë tjetër. E nesërmja… nuk dihet. Nuk dihet dhe nuk e ka në dorë askush nga ne. Sot, mund të jetë dita e fundit që shohim miqtë dhe shokët, prandaj le ta bëjmë sot atë që duhet të bëjmë, mos ta lemë për nesër, të kërkojmë një të falur, të themi sa më shumë falenderime dhe ta duam më shumë njëri-tjetrin. Të flasim gjëra të bukura, ta duam, ta dashurojmë njëri-tjetrin. Do zihemi ndonjëherë, por do pajtohemi nesër, do pimë një gotë raki…”
Pengu më madh i aktorit apo ‘pishmanllëk’ siç ai e ka cilësuar, është që nuk ka në Shqipëri asnjëherë demokraci.
“Ky ishte stacioni im i 85-të. Unë nuk di në arrij dot ndonjë stacion tjetër, po në iksha nga kjo botë, koka do të mbetet pas dhe në zemër do të kem pishmanllëkun e madh dhe dëshirën e madhe të shoh në këtë Shqipërinë time të dashur demokracinë e vërtetë.
Ta duam më shumë njëri-tjetrin, të mos luftojmë njëri-tjetrin, të mos kacafytemi, mos të vritemi, mos të shahemi, se kjo Shqipëri e bukur po na lihet e bukur, por kam frikë se një ditë… uroj nuk ndodh gjë. Jeta është e shkurtër, lum ai që e kaloi me gojë të ëmbël dhe zemër të bardhë”, tha Reshat Arbana./e.t