Adnan Menderes, Kryeministri i Turqisë për më shumë se një dekadë, ishte një prej figurave më të rëndësishme politike të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Ai u bë udhëheqësi i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në historinë e Republikës së Turqisë, pasi Partia e tij Demokratike (DP), e themeluar në vitin 1946, arriti të thyejë monopolin e Partisë Popullore Republikane (CHP) të Mustafa Qemal Ataturkut dhe pasuesve të tij.
Rruga drejt pushtetit
Menderes erdhi në pushtet në vitin 1950, kur DP fitoi zgjedhjet me një shumicë dërrmuese. Ai shërbeu si Kryeministër deri në vitin 1960, duke u rikonfirmuar tri herë radhazi në zgjedhjet e përgjithshme. Në fillim, qeverisja e tij solli zhvillim ekonomik, hapje ndaj investimeve të huaja dhe një politikë më të butë ndaj fesë islame, çka e bëri shumë popullor sidomos në zonat rurale.
Megjithatë, gjatë viteve ’50, Menderes filloi të përqendronte gjithnjë e më shumë pushtetin, kufizoi lirinë e shtypit dhe përdori aparatin shtetëror për të goditur opozitën. Këto masa, të shoqëruara me vështirësi ekonomike dhe inflacion të lartë, rritën pakënaqësinë si brenda vendit, ashtu edhe në qarqet ushtarake.
Grushti i shtetit i vitit 1960
Më 27 maj 1960, një grup gjeneralësh të ushtrisë turke, nën drejtimin e Gjeneralit Cemal Gürsel, organizuan grushtin e parë të shtetit në historinë e Republikës së Turqisë. Ushtria, e cila e shihte veten si garante të trashëgimisë së Ataturkut dhe të sekularizmit, e akuzoi Menderesin për shkelje të kushtetutës, autoritarizëm dhe korrupsion.
Pas rrëzimit, Menderes dhe ministrat e tij u arrestuan dhe u dërguan në gjyq në ishullin Yassiada, ku iu zhvilluan seancat gjyqësore të njohura si “Gjykatat e Yassiada-s”.
Gjyqi dhe dënimi
Adnan Menderes, Ministri i Jashtëm Fatin Rüştü Zorlu dhe Ministri i Financave Hasan Polatkan u shpallën fajtorë për “shkelje të kushtetutës”, korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit. Të tre u dënuan me vdekje.
Ekzekutimi u bë në ishullin e Imralit, në Detin Marmara. Hasan Polatkan dhe Fatin Rüştü Zorlu u varën më 16 shtator 1961, ndërsa Adnan Menderes më 17 shtator 1961, në moshën 62-vjeçare.
Pasoja dhe trashëgimia
Ekzekutimi i Menderesit tronditi opinionin publik turk dhe ndërkombëtar. Për shumë njerëz, ai mbeti një viktimë e një gjyqi politik dhe të padrejtë. Në dekadat e mëvonshme, figura e tij u rehabilitua nga politika turke. Në vitin 1990, parlamenti turk anuloi dënimin e tij, ndërsa eshtrat iu rivarrosën me nderime shtetërore në një mauzole të posaçëm në Stamboll.
Adnan Menderes kujtohet sot si një figurë kontradiktore: një lider që solli frymën e demokracisë pluraliste në Turqi, por edhe një politikan që ra në grackën e autoritarizmit dhe përplasjes me ushtrinë.
Përgatiti: L.Veizi