Ja si e shkatërroi ekonomia e Hitlerit Gjermaninë

Në Luftën e Dytë Botërore, Gjermania arriti ta kapërcente krizën në kohë rekord dhe të bëhej një nga fuqitë më të mëdha evropiane.

Lufta e Dytë Botërore e la Gjermaninë, fjalë për fjalë, në gërmadha. Pas bombardimeve të Aleatëve, shumica e qyteteve u reduktuan në copa qymyri. Një pjesë e madhe e fuqisë punëtore ishte zhdukur në iluzionet e dhunshme të madhështisë së Rajhut të Tretë. Nuk kishte asgjë për të ngrënë. Industria kishte rënë së bashku me regjimin nazist. Tregtia ndodhej në pikën më të ulët. Ndërsa monedha humbi vlerën, shumë transaksione kryheshin me anë të shkëmbimit të mallrave. Një mijë vjet lavdi të premtuara nga Fyhreri ishin shndërruar në shekuj prapambetje.

“Ekonomia,” shkroi një dëshmitar, “kishte degraduar në periudhën e pasluftës në një gjendje primitive.” Një vëzhgues tjetër përshkroi “figura gri, të uritura e të vdekura që endeshin rrugëve në kërkim të pafund për ushqim”. Një politikan i shquar vendas u ankua për “600 mijë fëmijë” që jetonin “në institucione publike dhe 500 mijë të tjerë” që duheshin mbajtur me fonde shtetërore.

Në këtë mjedis do të fillonte një rimëkëmbje aq e shpejtë, e fortë dhe e efektshme saqë e gjithë bota do ta quante “mrekullia gjermane”.

Nën zgjedhën e Aleatëve

Kriza e pasluftës arriti kulmin në vitin 1948. Ndërkohë, Moska po sovjetizonte dukshëm pjesën e saj gjermane. Perëndimi duhej të përfitonte nga pjesa e vet për të ndërtuar një digë kapitaliste kundër bllokut tjetër. Kështu lindi ndryshimi i papritur i politikës në trezonën e SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës.

Lufta e Ftohtë po hynte në fazën e saj të parë. Pas dy vitesh pushtimi armiqësor, u bë e domosdoshme që gjermanët të tërhiqeshin drejt kauzës demokratike. Ata duhej ta linin pas pendesën dhe të përqendroheshin në rindërtim. Një iniciativë e rëndësishme ishte përfshirja e vendit në Planin Marshall për restaurimin evropian.

Megjithatë, 1.4 miliardë dollarët (rreth 5 miliardë euro sot) të dhënë nga SHBA përfaqësonin vetëm një gjest vullneti të mirë – një ndihmë që mbulonte jo më shumë se 5% të të ardhurave gjermane. Gurthemeli i vërtetë i “mrekullisë” do të ishin tre masa të frymëzuara dhe të mbështetura nga Perëndimi, por të konceptuara e zbatuara nga një gjerman.

Një e diel vendimtare

Emri i tij ishte Ludwig Erhard, ekonomist me prirje liberale. Me miratimin e autoriteteve aleate, ai revolucionarizoi trizonën duke futur një monedhë të re brenda 48 orësh: markën gjermane. Ajo ishte dhjetë herë më e shtrenjtë se Reichsmark-u i vjetër, por edhe dhjetë herë më e fuqishme.

Lexo edhe :  Katastrofa detare, nëndetsja britanike fundos anijen japoneze të transportit “Junyo Maru”

Edhe pse popullsia pa të gjitha kartëmonedhat e vjetra të zhdukeshin, ajo e kuptoi shpejt se ato pak marka në duar ishin para të vërteta. Katër ditë më vonë, të dielën e 20 qershorit 1948, Erhard zbatoi fazën e dytë të reformës: hoqi kontrollet e çmimeve që Hitleri kishte vendosur për të blerë materiale lufte me kosto të ulët.

Qysh atë javë, dyqanet u hapën plot me mallra që më parë mungonin. Fundi i racionimit dhe tregut të zi solli një lehtësim të madh. Puna e detyruar dhe mungesat e rënda nisën të zhdukeshin.

Faktori i tretë ishte reforma fiskale: u unifikua taksa mbi të ardhurat e korporatave dhe u minimizua barra mbi individët. Gjermanët, që deri atëherë paguanin 85% të të ardhurave, pas reformës paguan vetëm 18%. Këto tre masa u bënë themeli i “mrekullisë gjermane”.

Papritmas të pasur

Industria lulëzoi. Falë reformave dhe konsensusit midis punëdhënësve e punëtorëve – që pranuan orë të gjata pune, stimuj bujarë dhe kërkesën për përsosmëri – industritë kimike, mekanike, tekstile dhe elektronike njohën rritje të jashtëzakonshme.

Prodhimi u gjashtëfishua. Papunësia ra në më pak se 1%. Fuqia blerëse u rrit dhe konsumimi i brendshëm shpërtheu. Njëkohësisht, eksportet u dyfishuan falë kërkesës ndërkombëtare, sidomos gjatë Luftës së Koresë.

Nën udhëheqjen e kancelarit Konrad Adenauer, i cili emëroi Erhardin ministër të Ekonomisë, Gjermania Perëndimore u bë një shtyllë e Perëndimit. Ajo u integrua në NATO, bashkëthemeloi Komunitetin Ekonomik Evropian (sot BE) dhe përfitoi nga tregtia me vendet më të pasura të botës.

Sfidat e reja

Prosperiteti arriti edhe në fshat. Modernizimi i bujqësisë me teknologji të reja dhe plehra kimike dyfishoi prodhimin. Ndërtimi masiv i banesave solli përmirësim të kushteve të jetesës. Shoqëria gjermane u shndërrua nga një shoqëri e traumatizuar e luftës në një shoqëri profesionale, të bazuar mbi karrierën dhe efikasitetin.

Në vitet ’60, regjistrimet universitare u rritën tetëfish. Por ky progres solli edhe sfida: ardhjen e miliona emigrantëve nga Lindja, Turqia, Italia e Spanja, si dhe lindjen e një të majte radikale që do të shfaqej në vitet ’70 me grupe terroriste si RAF (Baader–Meinhof).

Megjithatë, pengesa më e madhe mbeti ndarja e vendit. Muri i Berlinit, ndërtuar më 1961, ishte kujtesa e dhimbshme e një Gjermanie të ndarë përgjatë Luftës së Ftohtë.

Ky artikull u botua në numrin 487 të revistës Historia y Vida

Përgatiti për botim: L. Veizi