Katastrofa detare, nëndetsja britanike fundos anijen japoneze të transportit “Junyo Maru”

18 shtator 1944 – Lufta e Dytë Botërore

Më 18 shtator 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në brigjet perëndimore të Sumatrës, ndodhi një nga katastrofat më të mëdha detare të shekullit XX. Nëndetësja britanike HMS Tradewind siluroi dhe mbyti anijen transportuese japoneze Junyo Maru, e cila në pamje të parë shërbente për transport mallrash, por në të vërtetë ishte kthyer nga japonezët në një mjet ferri për të burgosur dhe skllevër pune.

Në bord ndodheshin rreth 6.000 vetë: ushtarë të kapur të Forcave Aleate – britanikë, holandezë dhe amerikanë – si dhe mijëra civilë indonezianë, të grumbulluar me forcë për të punuar në ndërtimin e hekurudhës famëkeqe Sumatra–Burma, që do të lidhte Indonezinë me pjesë të tjera të kontrolluara nga Japonia. Kushtet në anije ishin çnjerëzore: të burgosurit mbaheshin të ngjeshur në hapësira të mbyllura, me ushqim minimal, të dehidratuar dhe shpesh të torturuar nga rojet japoneze.

Kur HMS Tradewind lëshoi torpedot, ekuipazhi britanik nuk e dinte se anija ishte e mbushur me të burgosur. Goditja ishte fatale: Junyo Maru u fundos shpejt, duke e shndërruar detin në një varrezë të hapur.

Bilanci ishte shkatërrimtar: rreth 5.500 njerëz humbën jetën, ndërsa vetëm rreth 500 të mbijetuar u nxorën nga uji dhe u transportuan më pas nga japonezët drejt Birmanisë për të punuar në hekurudhën e quajtur nga historia si “Hekurudha e Vdekjes”. Për shumicën e tyre, vuajtjet nuk përfunduan as pas kësaj tragjedie, pasi punët e detyruara dhe kushtet çnjerëzore shkaktuan vdekjen e qindra të tjerëve.

Tragjedia e Junyo Maru mbetet një nga mbytjet më të mëdha të një anijeje në Luftën e Dytë Botërore dhe një dëshmi e errët e mënyrës sesi lufta i shndërron njerëzit në numra të humbur në thellësitë e historisë.

Lexo edhe :  16 Shtator 1942 – Konferenca e Pezës mbledh komunistët dhe nacionalistët

Përgatiti për botim: L.Veizi