Kjo gjyshe 94-vjeçare është kthyer në atraksion turistik

Në Scanno, një fshat mesjetar i humbur mes maleve të egra të Abruzzo-s në Italinë qendrore, një grua jeton sikur koha të mos ketë ecur kurrë.

Në moshën 94-vjeçare, Margherita Ciarletta, e zgjuar, jashtëzakonisht e pavarur dhe e kujdesshme për privatësinë e saj, është e vetmja që vesh çdo ditë kostumin tradicional shekullor të Scannos.

Turistët që enden nëpër rrugicat me kalldrëm nuk vijnë vetëm për pamjet malore apo kishat e stolisura. Ata kërkojnë “Nonna Margherita”, ose siç e quajnë vendasit, “L’Ultima Regina”, Mbretëresha e Fundit, shkruan A2 CNN.

Shpesh ata trokasin në dyert e fshatit derisa ta gjejnë dhe të bëjnë “selfie” me të. Por Ciarletta nuk e do vëmendjen. Ajo këmbëngul se nuk është yll; është thjesht një gjyshe krenare për rrënjët e saj nga fshati.

Që prej moshës 18-vjeçare, ajo ka veshur të njëjtin model fustani prej leshi të errët me mëngë të gjata dhe shami pambuku. “Më ka pëlqyer gjithmonë kjo veshje, jam krenare që e mbaj”, tregon ajo për CNN.

Prej shekujsh, gratë e Scannos kanë pasur dy garderoba: njërën, fustanin e thjeshtë për punët e arave dhe shtëpisë, si ai që mban sot Ciarletta, dhe tjetrën, një kostum festiv të qëndisur me jelek të zbukuruar dhe kapelë, që tregonin statusin shoqëror dhe visheshin të dielave në kishë, në festa e kremtime fetare.

Disa gra vendase ende e veshin kostumin e zbukuruar gjatë paradave dhe aktiviteteve folklorike. Vetëm Ciarletta ka mbetur besnike ndaj rrobës së përditshme të paraardhësve, duke alternuar disa versione çdo javë, disa të zeza, disa blu të errët me jakë të bardhë.

“Ky ka qenë dhe mbetet veshja ime e zakonshme e përditshme”, thotë ajo. “Bashkëshortit nuk i ka pëlqyer kurrë, por kjo nuk më ndaloi ta vesh çdo ditë, si në punët e fushës, ashtu edhe në festa”, shton Ciarletta.

Autoritetet lokale po kërkojnë që këto kostume të njihen nga UNESCO si trashëgimi kulturore jomateriale.

Ciarletta ka lindur në Scanno dhe nuk është larguar kurrë. Jeton në të njëjtën shtëpi prej guri që nga viti 1950 dhe, pavarësisht moshës së shtyrë, vazhdon të kryejë punët e përditshme pa ndihmë, duke përdorur vetëm ndonjëherë shkopin e ecjes.

Lexo edhe :  Të shtëna me armë zjarri në Pensilvani! Vriten 3 oficerë policie, plagosen dy të tjerë

“I bëj të gjitha vetë”, thotë ajo. “Në mëngjes pastroj kopshtin, gatuaj dhe bëj një shëtitje të shkurtër. Kaloj kohë duke biseduar me miq, fqinj e familjarë”.

Megjithatë, ajo e ka lënë zakonin e vjetër për të shkuar çdo mëngjes në bar për një ekspres.

Kur nipërit e mbesat e vizitojnë shpesh, Margherita thotë se i pëlqen të gatuajë makarona të freskëta dhe gnocchi me hithra, një specialitet i Abruzzos, i njohur për kuzhinën e tij të ashpër. Në këmbim, ata e ndihmojnë të largojë turistët e padëshiruar. “Janë të mrekullueshëm, më mbajnë gjithmonë nën kujdes. Jam me fat që i kam”, shton ajo.

Fakti që është kthyer në një atraksion turistik nuk i sjell gjithmonë rehati. Ciarletta ka refuzuar ekipe televizive dhe, megjithëse pranon shumicën e vizitorëve dhe nuk shqetësohet të fotografohet për Instagram, një herë ka ndjekur pas pushues që hynë pa leje në pragun e saj.

Zëri i saj është i kthjellët, sytë të mprehtë, fjalitë të shkurtra. Ajo flet italishten standarde, jo dialektin që disa të moshuar përdorin për të mbajtur larg të huajt. Është e afërt, por me kushtet e saj.

“Meqë jam e fundit që vesh këtë kostum, njerëzit vijnë për të bërë foto me mua”, thotë ajo. “Por ndonjëherë janë shumë dhe bëhen bezdisës”.

Ciarletta ka parë ndryshime të mëdha ndër vite. Dikur Scanno ishte i pasur, me familje fermerësh që garonin për të ndërtuar pallate, kisha e shatërvanë madhështorë. Rrugicat e ngushta janë një labirint pallatesh të stilit barok, romak e gotik, pranë banesave modeste.

Por sot qyteti është i boshatisur. Nga më shumë se 4000 banorë në vitet 1920, sot kanë mbetur vetëm rreth 1600. Familjet u shpërngulën në qytete ose jashtë vendit, shumë drejt Shteteve të Bashkuara, në kërkim të një jete më të mirë.