Ish-deputeti i Partisë Demokratike Myslym Murrizi nuk i ndali kritikat ndaj opozitës.
Në një intervistë në Vizion Plus , Murrizi nënvizoi se po ngre shqetësimet në emër të 7250 qytetarëve që e votuan në 11 Maj dhe të demokratëve që kanë 13 vite në opozitë.
Ai theksoi se nga 50 deputetë që ka PD-ja, vetëm 7 prej tyre kanë vota reale nga qytetarët. Murrizi deklaroi se nuk ka asnjë kontakt me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berishën.
Intervista:
Ku do të dalë Myslym Murrizi me këtë fushatë kritike të ashpërsuar sidomos javët e fundit?
Murrizi: Nëse quhet deklarimi apo thënia me zë të lartë i realitetit sot si kritik, është çështje perceptimi. Varet si e perceptojnë, qoftë militantët, qoftë ata që e kanë votuar dhe tani e votojnë. Secili prej tyre është i lirë që nëse ndihet i fyer nga ana ime t’i drejtohet gjykatës. Unë po ngre një shqetësim në emër të atyre 7250 qytetarëve që më votuan në 11 Maj dhe të atyre 500 apo 600 mijë demokratëve, të cilët kanë 13 vite në opozitë dhe do rrinë deri në 2029.
Është një realitet i hidhur për fat të keq, por realitet ku duhet vendosur gishti në plagë për të korrigjuar ca të mundet brenda PD-së për zgjedhjet e ardhshme. Për fat të keq koha më ka dhënë të drejtë. Kam thënë në korrik që nuk ka deputetë tepër PD që të qerasin grupet parlamentare inekzistente që nuk janë provuar prej 2001 dhe kur i shoh që shpërndahen ato një grusht deputetësh që dolën nga zgjedhjet e 11 Majit, nuk më vjen mirë, se ato janë vota demokratësh.
Keni thënë para disa javësh që edhe që ju do të jeni në Parlament. Ka ndonjë zhvillim të ri? E shihni veten në Parlamentin e ri?
Murrizi: Nuk e shoh unë veten në Parlament, e shohin 7250 qytetarët që më votuan. Dhe më votuan shpirtërisht, sepse unë nuk paguaj lekë për votat. Edhe pse kupolat drejtuese ishin kundër Murrizit. Madje thonin që Murrizi nuk i kalon 2 mijë vota. Ata që nuk kanë asnjë votë nga qytetarët në atë mandat që kanë me vete. Nga 50 deputetë, vetëm 7 deputetë kanë vota qytetarësh.
A keni kontakte me drejtuesit aktualë të Partisë Demokratike? Si qëndrojnë ata ndaj kritikave tuaja?
Murrizi: S’kam pasur kontakte se unë shkoj vetëm për mbledhje. Nuk jam nga ata që qurravitem tek dera apo paradhoma e kryetarit. Për çfarë të shkoj atje. Çfarë kam për të thënë, ua them publikisht siç ua kam thënë edhe nëpër mbledhje.
Po bëhen përgatitje për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës. Disa figura që besohet se mund të ishin kandidatë të mirë për PD po lënë të kuptohet se refuzojnë të angazhohen. Si mendoni ju?
Murrizi: Është ndjenjë frike dhe pasigurie pasi kanë siguruar një karrige në Parlament. Tregojnë haptazi që gjithë qëllimi i tyre nuk ka qenë beteja për të përmbysur Ramën. Ka qenë vetëm për të siguruar një karrige në Kuvend./e.t