Që nga kohërat e lashta e deri më sot, roli i të moshuarve në shoqëri ka ndryshuar sipas modeleve familjare dhe vlerave shoqërore, ekonomike e politike.
Mençuri, sëmundje, përvojë, rënie, siguri, prestigj, vuajtje. Fjalët që i shoqërojmë me konceptin e pleqërisë pasqyrojnë konsideratën që të moshuarit kanë pasur ndër shekuj. Roli i tyre në shoqëri, në fakt, ka ndryshuar në varësi të modeleve familjare dhe të vlerave tipike shoqërore, ekonomike e politike të çdo periudhe historike.
Nga Bibla
Mosha e vjetër ka pasur një rol të dyfishtë që nga qytetërimet më të hershme. Në kulturën hebraike, jetëgjatësia simbolizonte një bekim nga Zoti, dhe nuk është rastësi që disa protagonistë të Shkrimeve të Shenjta përshkruhen me moshë të pamundur: Adami 930 vjeç dhe Metuselahu 969. Në përgjithësi, në epokat (ose grupet shoqërore) ku vdekja vinte herët, flokët dhe mjekrat e bardha u jepnin njerëzve një pamje mbinatyrore.
Megjithatë, kjo nuk siguronte gjithmonë një ekzistencë paqësore për të moshuarit. Faktorë të tjerë ndikuan në fatin e tyre. Mungesa e ushqimit, për shembull, shpesh çonte në braktisjen ose edhe vrasjen e të moshuarve, të cilët konsideroheshin joproduktivë. Në Siberinë Veriore, ata që nuk ishin më në gjendje të gjuanin kryenin vetëvrasje ose e linin veten të vdisnin. Ndërsa turko-mongolët respektonin vetëm të moshuarit me shëndet të mirë, madje shkonin aq larg sa i mbytën ata që nuk ishin. Në shumë shoqëri, të moshuarit shërbenin si magjistarë dhe priftërinj, të ngarkuar me ndërmjetësimin me botën e të vdekurve.
Greqia: Vëllimi i fatit
Për një qytetërim që adhuronte bukurinë, pleqëria ishte një mallkim. Për perënditë olimpike, lumturia supreme ishte rinia e përjetshme, dhe kjo ishte pikërisht dhurata që Zeusi i dha Ganimedës. Në realitet, në shoqërinë greke, të moshuarit gëzonin një fat të përzier. Ata ishin figura të rëndësishme në këshillat e qytetit dhe kujdestarë të pasardhësve, por shpesh liheshin pas dore nga të afërmit – një zakon që duhet të ketë qenë mjaft i përhapur, nëse athinasit detyroheshin të miratonin ligje të posaçme për këtë çështje.
Kushdo që nuk arrinte t’i mbështeste prindërit e vet goditej nga atimia: pra, privoheshin nga të drejtat politike dhe civile. Edhe filozofët nuk e pëlqenin pleqërinë. Aristoteli, për shembull, i përjashtonte të moshuarit nga qeverisja e polisit, duke ua lënë këtë detyrë ushtarëve të moshës së mesme.
Gjërat ishin më mirë në Spartë. Luftëtarët e moshuar mbanin poste publike. Nga 30 anëtarët e gerousia-s, një asamble me funksione legjislative dhe gjyqësore, 28 ishin spartanë mbi gjashtëdhjetë vjeç, ndërsa dy të tjerët ishin mbretërit e Spartës.
Baballarët e Romës
Siç shkroi historiani francez Georges Minois në librin Historia e pleqërisë nga Antikiteti në Rilindje:
“Romakët flisnin shumë për të moshuarit, por rrallë i lavdëronin ata”.
Megjithatë, gjatë periudhës republikane, të moshuarit kishin një rol të rëndësishëm. Ligji romak, përmes institucionit të pater familias, i jepte vlerë të madhe kryetarit të moshuar të familjes. Pushteti i tij ishte absolut, me autoritet të pakufizuar mbi të gjithë anëtarët e familjes. Për shembull, ai mund të braktiste të porsalindurit ose të shiste fëmijë në skllavëri. Kalimi në Perandori, në vitin 31 p.e.s., shënoi humbjen e këtij roli politik dhe shoqëror.
Më vonë, institucioni i pater familias u dobësua, ashtu si edhe pushteti i Senatit, i përbërë nga pleq. Në komeditë e Plautit, pleqtë paraqiteshin me përbuzje; gratë e moshuara, edhe më keq, shpesh ishin objekt sulmesh mizore nga autorë si Horaci. Edhe Seneka pohonte se ishte më mirë të dije si të vdisje, sesa të përballoje një jetë shumë të dhimbshme. Nuk është rastësi që numri i vetëvrasjeve në pleqëri u rrit.
Mesjeta: Gjyshi mbërriti
Mesjeta e hershme ishte një kohë e errët për të moshuarit, të pafuqishëm përballë ligjit të më të fortit. Jeta e tyre nuk vlente shumë: për vrasjen e një plaku, “kompensimi” ishte i njëjtë me atë të një fëmije dhjetëvjeçar. Nga shekulli i 6-të e tutje, të moshuarit më të pasur në Evropë nisën të tërhiqeshin në manastire, një zgjedhje që garantonte shpëtimin e përjetshëm.
Në shekullin e 14-të ndodhi një kthesë. Në një shoqëri ku vetëm 8% e popullsisë arrinte moshën 60 vjeç, Murtaja e Zezë përmbysi gjithçka. Plaga e vitit 1348 shkatërroi fëmijët dhe të rriturit, por kurseu shumë të moshuar. Numri i tyre u rrit me shpejtësi, dhe familjet nisën të jetonin ndër breza. Nuk është rastësi që në shekullin e 15-të doli në skenë një figurë e re: gjyshi.
Shekulli i gjashtëmbëdhjetë mizor
Gjatë Rilindjes, rinia ishte simbol i bukurisë dhe vitalitetit, ndërsa pleqëria shënonte rënien e energjisë dhe krijimtarisë. Shekulli i gjashtëmbëdhjetë filloi me tre sovranë të rinj – Francë I, Henri VIII dhe Karlin V – por përfundoi me një gerontokraci: Elizabeta I (vdiq 70 vjeç), Filipi II (74) dhe Sulejmani i Madhërishëm (72). Aristokratët evropianë nisën të jetonin më gjatë, duke ngjallur admirim, gati sikur të ishin kampionë sportivë.
Për njerëzit e thjeshtë, siç shkruan Luigi Lorenzetti në librin Gli anziani e la città (Karocci), kjo ishte një periudhë indiference ndaj moshës: nuk u jepte pleqve as autoritet, as prerogativë të tjera, përveç atyre që lidhnin me statusin shoqëror dhe ekonomik. Në qytetet evropiane, të varfrit, jetimët dhe të moshuarit perceptoheshin si rrezik. Kjo është arsyeja pse u miratuan ligjet e para të ndarjes sociale. Venediku ishte i pari, duke urdhëruar në vitin 1528 që të moshuarit të mbylleshin në spitale, së bashku me të çmendurit dhe të sëmurët.
Më në fund, hospisi
Shekulli i 18-të shënoi një pikë kthese në perceptimin e pleqërisë. Iluminizmi solli një imazh më pozitiv: pleqëria u pa si epoka e mençurisë. Në fshat, gjatë gjithë shekullit të 19-të dhe deri në një pjesë të shekullit të 20-të, familja patriarkale u jepte të moshuarve një rol të rëndësishëm në shoqërinë bujqësore. Në qytet, gjërat ishin ndryshe.
Industrializimi nxori në pah “padobishmërinë” e atyre që nuk punonin më. U shfaqën institucione të reja si kujdesi paliativ, duke i përjashtuar të moshuarit nga shoqëria dhe duke mishëruar idealin borgjez të efikasitetit dhe kontrollit.
Burimi: focus.it/ Përgatiti për botim: L.Veizi