Britania e Madhe i rezervoi presidentit amerikan, Donald Trump, një pritje madhështore, të përshtatshme për mbretin që ai pretendon të jetë.
Ishte një vizitë e mbështjellë me ngjyra ari, shëtitje me karroca floriri, vizita në kështjella, bankete të mëdha, ballo madhështore dhe dolli për një marrëdhënie të përjetshme mes Londrës dhe Uashingtonit.
“Oqeani mund të na ndajë ende, por në shumë mënyra të tjera ne tani jemi degë të së njëjtës familje. Vendet tona kanë marrëdhënien më të ngushtë në mbrojtje, siguri dhe inteligjencë të njohur ndonjëherë. Në dy luftëra botërore, ne luftuam së bashku për të mposhtur forcat e tiranisë. Sot, ndërsa tirania kërcënon përsëri Europën, ne dhe aleatët tanë qëndrojmë së bashku në mbështetje të Ukrainës për të penguar agresionin dhe për të siguruar paqen. Vendet tona po punojnë së bashku në mbështetje të përpjekjeve të rëndësishme diplomatike, në të cilat zoti President, është angazhimi juaj personal për të gjetur zgjidhje për disa nga konfliktet më të vështira në botë. Me qëllim sigurimin e paqes”, tha mbreti Charles.
Presidenti amerikan shprehu falënderimet e tij për pritjen madhështore, ndërsa vuri theksin tek raportet e shkëlqyera me Mbretërinë e Bashkuar.
“Së bashku ne kemi bërë më shumë të mira për njerëzimit se çdo vend tjetër në të gjithë historinë e botës. Bashkë ne mund të mbrojmë trashëgiminë e jashtëzakonshme që na bën ne këta që jemi dhe duhet të vazhdojmë të qëndrojmë për vlerat e botës anglishtfolëse”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump po zhvillon vizitën e tij të dytë historike në Britani mes një pompoziteti të paprecedentë, sigurie të shtuar, investimesh teknologjike dhe protestash. Bashkë me bashkëshorten e tij, Melania, qëndruan për disa orë në Kështjellën Windsor, më e vjetra ndonjëherë e banuar në botë dhe strehë e monarkëve britanikë për thuajse 1 mijë vite.
Mijëra njerëz marshuan në Londër duke protestuar kundër vizitës së Trump, duke shpalosur slogane kundër presidentit, afrimitetit të tij me Jeffrey Epstein të dënuar për krime seksuale, qëndrimit të tij për të drejtat e abortit. Gjithashtu ka pasur manifestime pro Palestinës. /e.t