19 shtator 1946 – Minimi i Kanalit të Korfuzit

Nga Artur Mecollari

Datë në historinë e të drejtës ndërkombëtare të detit

Marina Jugosllave minoi Kanalin e Korfuzit (në ujrat shqiptare) me miratimin e Enver Hoxhës

Mbas Incidentit të Kanalit të Korfuzit të datës 22 tetor 1946 palët (Shqipëria dhe Britania e Madhe) u përballën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Pala britanike akuzoi Shqipërinë se me ndihmën e jugosllavëve kishte bërë minimin e Kanalit të Korfuzit.

👉Hipoteza britanike mbi minimin e Kanalit të Korfuzit.

Dy dragamina jugosllave, Mljet dhe Meljine (klasi Mljet), mbasi lanë Portin e Shibernikut, bënë një vizitë në ujërat shqiptare (minuan Gjirin e Sarandës) një natë përpara datës 22 tetor 1946. Hipoteza britanike nuk u pranua nga Gjykata, pasi ajo nuk pati prova të besueshme. Edhe dëshmitë e dy jugosllavëve (Karel Kovaçiç dhe Zhivan Pavlov) në procesin gjyqësor nuk ishin të besueshme. Mbas dërgimit të Grupit të Eksperteve në Shibernik dhe Sarandë, Trupi Gjykues pranoi se britanikët nuk paraqitën prova të mjaftueshme për të vërtetuar akuzën e tyre. Në fakt, i gjithë vendimi i GJND përshkruhet nga besimi i saj se hipoteza britanike për minimin e Kanalit të Korfuzit nga jugosllavët kishte të vërteta, por nuk mund të provohej. Shqipëria u shpall fajtore se kishte dijeni për vendosjen e minave.

Në mbështetje të hipotezës së tyre, britanikët dorëzuan në proces edhe një skemë të detajuar, e cila tregonte lundrimin e dy minaheqëseve jugosllave, Mljet dhe Meljine. Sipas treguesit të hartës, anijet kanë lënë portin e Shibernikut në datën 18 tetor 1946 (ora 21:00), datë kjo që përputhet me dëshminë e Karel Kovaçiçit. Mbas 27 orëve lundrim, më datën 19 tetor (ora 00:00), anijet kanë hyrë në Gjirin e Kotorrit për t’u furnizuar me mina. Kjo e dhënë përputhet me dëshminë e Zhivan Pavlovit, por ai nuk i referohet një date të caktuar në muajin tetor 1946.

Minaheqëset jugosllave “Mljet” dhe “Meljine”, sipas hipotezës britanike, kanë lënë Gjirin e Kotorrit në orën 04:00 të datës 20 tetor dhe mbas 32 orësh lundrim (190 milje detare) kanë hyrë në Gjirin e Sarandës në orën 12:00 të datës 21 tetor 1946, ku më pas kanë kryer minimin për plotë 18 orë. Pas përmbushjes së misionit anijet janë rikthyer në Gjirin e Kotorrit për rifurnizim me karburant dhe kanë mbërritur së fundmi në Shibernik në orën 12:00 të datës 26 tetor 1946. Duket se britaniket kishin dyshime të forta, por versioni i tyre ishte larg së vërtetës.

👉Provat e ish-oficerit të FLD dhe gazetari Ilir Abdi Mati.

Në datën 18 tetor 2016, Ilir Mati, djali i kundëradmiral Abdi Mati, ka botuar tek Shqiptarja.com (https://shqiptarja.com/…/komandanti-i-sazanit-ja-e…) një dëshmi të dhënë nga ish komandanti i ishullit të Sazanit Major Mevlan Dervishaj. Sipas komandant Dervishaj minimi është kryer nga anijet jugosllave dhe në bord të tyre ka qenë edhe major Mevlan Dervishaj, komandanti i Ishullit të Sazanit dhe kapiten i parë Abdi Mati, Shef i Seksionit të Marinës. Kjo dëshmi përputhet plotësisht me radiogramet e datës 17 shtator 1946 midis Major Dervishaj dhe Shtatmadhorisë në të cilat Dervishaj ankohej se tre vaporë jugosllavë kishin hyrë në Sazan dhe ai nuk kishte dijeni (Paskal Milo “të Vërtetat e Fshehura – Incidenti i Kanalit të Korfuzit”, faqe 374-375).

Sipas major Dervishaj rezulton se lundrimi i parë për minimin e Kanalit të Korfuzit është realizuar në datën 18 shtator 1946 (në mbrëmje), por siç shprehet major Dervishaj u kthyem pasi na goditën në Kepin e Qefalit. Minimi u realizua ditën tjetër, në mbrëmjen e datës 19 shtator 1946. Anijet jugosllave janë shfaqur në Ishullin e Sazanit në mbasditen e datës 17 shtator 1946 dhe janë larguar përsëri nga Sazani drejt Jugosllavisë në mëngjezin e datës 20 shtator. Kapiteni i parë Abdi Mati ka mbërritur në Sazan, me shumë mundësi nga Durrësi, me Motovedetën “Mujo Ulqinaku” në datën 18 shtator 1946. Nëse kapiten Mati do ishte në Sazan përpara anijeve jugosllavwe, major Dervishaj nuk kishte arsye të dërgonte fonogramin për Mehmet Shehun.

Motovedeta “Mujo Ulqinaku” do të rrëmbehej nga nënoficeri motorist i saj Vlash Bushi, së bashku me dy detarë jo ekuipazh i anijes, më 1 qershor 1947 për të dëshmuar në Gjyqin e Hagës. Nënoficer Vlash Bushi kishte dijeni kush e kishte bërë minimin e Kanalit të Korfuzit. Dështimi i rrëmbimit të motovedetës “Mujo Ulqinaku”, nga akti i detar Spiro Kote, bëri që britanikët të organizonin në Jugosllavi arratisjen e Karel Kovaçiç më 6 tetor 1947 dhe Zhivan Pavlov më 25 tetor 1948.

Lexo edhe :  1940 – Operacioni “Luani i Detit”, Hitleri i turret Britanisë

Vendimi për minimin e bregdetit shqiptar u morr në Bled, ish-Jugosllavi, sot të Sllovenisë, gjatë takimit midis Enver Hoxhës dhe Titos, në datën 19 gusht 1946. Po më 19 gusht 1946 kapiteni i parë Abdi Mati, Shefi i Seksionit të Marinës Ushtarake, ka qënë në Split, Komandën e Marinës Jugosllave, për lidhjen e një kontrate për blerjen e gjashtë lanxhave për Marinën Shqiptare. Besohet se në Shqipëri për planizimin e operacionit të minimit nga Jugosllavët kanë qënë në dijeni, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxhe, Hysni Kapo, Bedri Spahui dhe Abdi Mati.

Në radiogramin e datës 17 shtator 1946 të major Dervishaj drejtuar Shtatmadhoris iu referohet tre vaporëve jugosllavë. Nga të dhënat e deritanishme, të publikuar po nga Paskal Milo, faqe 373, jugosllavët njoftojnë Mehmet Shehun më datën 10 shtator 1946 se në një nga bazat e tyre gjendet një vapor me 104 mina, i gatshëm për të kryer minim në Sarandë, Himarë, Borsh dhe eventualisht edhe në Palermo. Minaheqëset e klasit Mljet, të dyja bashkë nuk mund të mbanin 100 mina të tipit GY (gjermane EMC), pra duhet të ketë qënë një anije që mund të mbante 100 mina në bord. Ekzistenca e anijes së tretë provohet edhe nga radiogrami i major Mevlan Dervishaj.

👉Enigma e anijes së tretë.

Në vitin 2008 gjatë vëzhgimit në jug të Shqipërisë, Ekspedita Arkeologjike Amerikane, zbuloi dhe filmoi një objekt nënujor në Kanalin e Korfuzit (përballë Gjirit të Butrintit), i cili rezultoi të ishte një anije. Fillimisht u mendua se mund të ishte minaheqësja britanike HMS Regulus, e cila u mbyt nga një minë më 12 janar 1945 gjatë kthimit për në Portin e Korfuzit. Më pas u vërtetua se HMS Regulus është mbytur në jug të Kepit të Stillos, ndërsa objekti i gjetur është në veri të tij. Është interesante se pranë anijes gjenden shumë mina të tipit gjerman EMA të ndryshme nga ato të Incidentit të Kanalit të Korfuzit.

Mbas shqyrtimit të videos se anijes, u pa qartë se anija është një anije e periudhës gjatë ose pas Luftës së Dytë Botërore. Është e çuditshme por, deri më sot asnjë shtet nuk e pretendon atë. Anija e mbytur ne Kanalin e Korfuzit (përballë gjirit të Butrintit) nuk provohet të ketë lidhje me incidentin e datës 22 tetor 1946, por prezenca e saj në afërsi të rajonit dhe mungesa e pretendimit nga ndonjë shtet, të bën të dyshosh. Nga profilizimi në video anija ngjason shumë me minahedhësen gjermane të klasit “Toga”. Gjermana gjatë Luftës së Dytë Botërore ka patur nëntë anije të këtij klasi dhe asnjëra nuk është mbytur. Mbas Luftës së Dytë Botërore ish-Jugosllavia u pajis me dy të tilla, si dëmshpërbilm lufte, të cilave iu vendos emri “Pionir” ose “Zelengora”

Deri tani në Kanalin e Korfuzit janë zbuluar rreth 30 mina nga operacioni i minimit të datës 19 shtator 1946: dy shpërthyen në 22 tetor 1946 ku humbën jetën 44 britanik dhe shumë të tjerë u plagosën, njëzetë e dy u çminuan nga britanikët më 11-12 nëntor 1946, katër u çminuan nga pala shqiptare në vitin 1958 dhe dy gjenden ende në fund të detit. Në vitin 2008, Ekspedita Arkeologjike Amerikane ka zbulluar edhe dy mina të tipit GY (gjermane EMC) në thellësinë 50 dhe 70 m.

Fakti që, gjatë minimit të Kanalit të Korfuzit nuk kanë qenë vetëm dy minaheqëse, por edhe një anije tjetër minahedhëse me kapacitete për akomodimin e 100 minave detare, të cilës nuk dihet fati, të bën të dyshosh se anija e mbytur në Gjirin e Butrintit mund të ketë lidhje me minimin e Kanalit të Korfuzit, për më tepër që pranë saj gjenden disa mina gjermane. E vërteta gjendet ende në fund të detit në Kanalin e Korfuzit, kurse plani i minimit në arkivat sekrete të Beogradit./kb