Francë, protestat për shkurtimet buxhetore kthehen në dhunë

Grevat kundër shkurtimeve buxhetore në Francë degjeneruan në dhunë të enjten pasdite në Paris, teksa qindra mijëra persona morën pjesë në greva dhe demonstrata.

Protestuesit iu bashkuan sindikatave në një ditë veprimi për të ushtruar presion ndaj kryeministrit të ri të vendit, Sebastien Lecornu, që të tërhiqet nga paketa e shkurtimeve buxhetore dhe të ndërmarrë hapa për pagat, pensionet dhe shërbimet publike.

“Dhe tani, kemi një qeveri që nuk na dëgjon dhe madje bën të kundërtën e asaj që ka nevojë popullsia. Një qeveri që grabit qytetarët e saj, që i shtyp njerëzit. Është e rëndësishme që të gjithë të mobilizohemi, për popullin e Francës që kërkon dinjitet dhe për t’ua dhënë këtë dinjitet edhe të tjerëve në mbarë botën,” – thotë një nga protestuesit.

Lecornu u tërhoq shpejt nga një propozim jopopullor për të hequr dy ditë pushimi zyrtar, por sindikatat kanë ngritur shqetësime se elementë të tjerë të planit, përfshirë ngrirjen e shpenzimeve për mirëqenie, do të mbeten në fuqi.

“Franca po përjeton një nga lëvizjet më të mëdha protestuese të viteve të fundit, teksa qindra mijëra protestues dolën në rrugët e vendit kundër masave të shpallura të kursimit. Në mbarë vendin, grevat dhe protestat pezulluan transportin, shkollat dhe madje edhe spitalet. Deri në fund të ditës, atmosfera në Paris kishte ndryshuar. Ajo që nisi si një protestë kryesisht paqësore, përfundoi me përplasje të forta. Disa dhjetëra individë të veshur me të zeza hodhën objekte drejt policisë, disa prej tyre madje duke goditur edhe protestues të tjerë,” – thotë gazetarja Sophia Khatsenkova. m.p.