Leo refuzon planet për një Papë me IA: Nuk mund të zëvendësohem nga një avatar

Papa Leo XIV ka bërë të ditur se ka refuzuar një propozim për të krijuar një version të vetes së tij përmes Inteligjencës Artificiale (IA), duke paralajmëruar se një teknologji e tillë mund të rrezikonte seriozisht identitetin njerëzor.

Në një intervistë, Papa zbuloi se dikush e kishte pyetur duke i kërkuar leje për të krijuar një “Papa artificial”, për të mundësuar që çdo person të kishte një audiencë personale.

“Nëse ekziston dikush që nuk duhet të përfaqësohet nga një avatar, do të thosha se Papa është një nga ata që është në krye të listës”, tha Papa Leo XIV.

Në intervistë, Papa gjithashtu paralajmëroi për ndikimin e inteligjencës artificiale në vendet e punës dhe në identitetin njerëzor.

“Dinjiteti njerëzor ka një lidhje shumë të rëndësishme me punën që bëjmë. Nëse e automatizojmë gjithë botën dhe vetëm disa njerëz kanë mundësi… atëherë kemi një problem të madh, një problem të jashtëzakonshëm që shfaqet në horizont”, u shpreh Papa.

Që nga zgjedhja e tij në maj, Papa Leo ka shprehur vazhdimisht shqetësim për ndikimin e mundshëm të inteligjencës artificiale mbi njerëzimin, sidomos për mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve.

Gjatë bisedës së tij të parë telefonike me Kryeministren italiane, Giorgia Meloni, më 15 maj, Papa diskutoi mundësinë e bashkëpunimit me qeverinë italiane “për zhvillimin e inteligjencës artificiale që është etike dhe që i shërben njerëzimit.”/e.t