Manja: I bindur se Lamallari do ta çojë një stad më lart punën

Pasi i kaloi zyrtarisht stafetën Besfort Lamallarit në krye të Ministrisë së Drejtësisë, Ulsi Manja shkruan në Facebook se 4 vite në krah të Kryeministrit Edi Rama kanë qenë një shkollë jete për të.

Ndërsa më tej, Manja shkruan se Lamallari do ta çojë më tej punën e nisur dhe do ta ngrejë në një stad të ri.

Postimi i plotë:

Kalim stafete, por kauza mbetet e njëjtë!

Sot përfundon zyrtarisht mandati im si Ministër i Drejtësisë. Katër vite intensive në krah të Kryeministrit Edi Rama kanë qenë një shkollë jete – me sfida të mëdha dhe përvoja të vyera. Falenderoj veçanërisht Kryeministrin për besimin dhe mbështetjen, dje si Ministër dhe sot si Kryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvend.

Stafetën e Ministrit të Drejtësisë e merr miku im Besfort Lamallari, një kontributor i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian. Jam i bindur se ai do ta çojë më tej punën e nisur dhe do të ngrejë në një stad të ri arritjet tona, ku “qershia mbi tortë” mbetet hapja e negociatave për grupkapitujt themelorë.

Jam thellësisht mirënjohës stafit të përkushtuar të Ministrisë së Drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë për bashkëpunimin e ngushtë. Nga sot, kontributin tim do ta jap nga një këndvështrim tjetër – si Kryetar i Komisionit të Ligjeve – në kodifikimin dhe përputhjen e legjislacionit tonë me atë të BE-së.

Postet ndryshojnë, por kauza mbetet e njëjtë: Shqipëria 2030 në BE. m.p.