Një kryevepër e Pablo Picasso-s do të dalë në ankand në Paris më 24 tetor

Portreti i Dora Maar u zbulua në Hotel Drouot

Paolo Levi

Një pikturë “e jashtëzakonshme”, një “moment historik”: portreti që Pablo Picasso i realizoi gjatë kohës së luftës shoqes dhe muzës së tij artiste, Dora Maar, në Parisin e pushtuar në vitin 1943.

I titulluar “Busti i një gruaje me kapelë me lule”, ky kryevepër i rizbuluar u paraqit sot për herë të parë në Hotel Drouot, shtëpia e famshme e ankandeve në Paris, ku do të dalë në shitje në fund të tetorit.

Piktura me vaj, me përmasa 80 x 60 centimetra, u krijua nga mjeshtri spanjoll më 11 korrik 1943 dhe u ble rreth një vit më vonë, në gusht 1944, nga gjyshi i pronarëve aktualë – një industrialist francez dhe koleksionist i madh arti, emri i të cilit mbetet konfidencial. E mbajtur nga e njëjta familje për më shumë se tetëdhjetë vjet, trashëgimtarët tani synojnë ta nxjerrin në shitje si pjesë të testamentit.

“E panjohur për publikun dhe e ekspozuar vetëm në studion e artistit në Paris gjatë pushtimit”, është një “pikturë mjaft e jashtëzakonshme, një moment historik si në historinë e artit, ashtu edhe në atë të Picasso-s”, thotë specialistja Agnès Sevestre-Barbé për Agence France Presse, duke e përshkruar si një vepër me frymëzim “njëherësh natyralist dhe kubist”.

E autentikuar nga Fondacioni Picasso, portreti ishte i njohur për specialistët dhe koleksionistët vetëm përmes një riprodhimi bardh e zi në katalogun raisonné të veprave të tij (inventari zyrtar). Fotografitë e Brassai-t, të realizuara në atë kohë në studion e Picasso-s në Rue des Grands-Augustins dhe që sot ekspozohen në Drouot, konfirmuan ekzistencën e pikturës.

Sipas organizatorit të ankandit, Christophe Lucien, çmimi fillestar më 24 tetor “vlerësohet rreth tetë milionë euro, por mund të rritet më tej”.

Lexo edhe :  Nesër nis ‘Tirana International Film Festival’, mbi 200 filma

Vepra u krijua në një moment kyç të jetës personale dhe artistike të Picasso-s. Ishte koha kur Dora Maar – fotografe dhe muzë, të cilën ai e kishte takuar shtatë vjet më parë në qarqet surrealiste të Parisit të viteve ’30 – po braktisej nga Picasso për të renë Françoise Gilot. Portreti pasqyron për mrekulli këtë ambivalencë: Dora Maar shfaq një fytyrë harmonike, me kapelën shumëngjyrëshe si kurorë, por me një shprehje melankolike.

Në studion e Rue des Grands-Augustins, gjatë kulmit të pushtimit, piktura mbeti e fshehur për një kohë të gjatë, e dukshme vetëm për miqtë e ngushtë. Rreth të njëjtës periudhë, nazistët dogjën disa vepra të konsideruara “degjeneruese” në Kopshtin Tuileries aty pranë.

Kjo e bën pikturën që del në shitje te Drouot një vepër edhe më të rrallë: një kanavacë që nuk doli kurrë nga rrethi i ngushtë i Picasso-s, nuk u huazua kurrë, nuk u ble asnjëherë nga një muze dhe që, pothuajse një shekull më pas, del nga hija e pushtimit për të hyrë në dritën e historisë.

Burimi: ansa.it/ Përgatiti për botim: L.Veizi