Britania pritet që sot të njoftojë njohjen e shtetit të Palestinës

Kryeministri britanik Keir Starmer pritet që sot të bëjë një njoftim lidhur me njohjen nga Mbretëria e Bashkuar e shtetit palestinez. Ai do të dalë me një deklaratë të dielën pasdite për këtë çështje.

Kryeministri kishte paralajmëruar në korrik se pozicioni i Mbretërisë së Bashkuar do të ndryshonte gjatë shtatorit nëse Izraeli nuk do të plotësonte disa kushte, përfshirë dakordësinë për një armëpushim në Gaza dhe angazhimin për nisjen e një procesi paqësor afatgjatë që synon zgjidhjen me dy shtete.

Mbretëria e Bashkuar prej kohësh ka mbështetur një marrëveshje që do të mundësonte krijimin e një shteti palestinez pranë Izraelit, por udhëheqja izraelite nuk ka pasur këtë qëndrim, që nga fillimi i konfliktit me grupin palestinez të armatosur Hamas.

Vendimi i kryeministrit ka ngjallur reagime të ashpra nga qeveria izraelite, familjet e pengjeve të mbajtura në Gaza, si dhe nga disa anëtarë të Partisë Konservatore./kb