Atletico Madrid nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 në transfertë ndaj Mallorca, sfidë e vlefshme për javën e katërt në La Liga.
Për Mallorca-n e nisën titullar Marash Kumbulla dhe Vedat Muriqi, por për fatin e tij të keq mbrojtësi i Shqipërisë u dëmtua dhe u largua nga fusha në minutën e 36-të, në vend të tij Pablo Torre i ardhur nga Barcelona.
“Colchoneros” patën shansin e artë për të kaluar në avantazh në minutën e 14-të, por Julian Alvarez gaboi nga penalltia. Goditja e argjentinasit u ndal në mënyrë të shkëlqyer nga portieri i Mallorca-s, Roman. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola.
Minutat e fundit të pjesës së dytë ishin vërtet të zjarrta. Fillimisht, në minutën e 71-të, Alexander Sorloth lë me 10 lojtarë Atletico-n. Sulmuesi norvegjez ndëshkohet me karton të kuq për ndërhyrje të ashpër me takë ndaj kundërshtarit.
Në minutën e 79-të, pas një kundërsulmi të shpejtë, Atletico gjen golin me Conor Gallagher. Megjithatë, vendasit nuk u dorëzuan dhe gjetën golin e barazimit me Vedat Muriqi, sulmuesi i Kosovës shënoi me kokë pas krosimit perfekt të Virgil. m.p.