Netanyahu: Nuk do të ketë një shtet të Palestinës!

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka reaguar me gjuhë të ashpër për vendimin e Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë dhe Australisë për njohjen e shtetit të Palestinës.

Netanyahu është shprehur i vendosur se nuk do të ketë një shtet të Palestinës dhe se vendimi i marrë nga këto 3 shtete, është një shpërblim për terrorizmin.

“Kam një mesazh të qartë për ata udhëheqës që njohin një shtet palestinez pas masakrës së tmerrshme të 7 tetorit – ju po i jepni një shpërblim të madh terrorizmit. Dhe kam një mesazh tjetër për ju, kjo nuk do të ndodhë. Një shtet palestinez nuk do të krijohet në perëndim të lumit Jordan”, tha Netanyahu.

Netanyahu thotë se “për vite me radhë” ai ka penguar krijimin e “këtij shteti terrorist” përballë presionit.

“Në të vërtetë, ne dyfishuam vendbanimet hebraike në Jude dhe Samari, dhe do të vazhdojmë në këtë rrugë”, shton ai.

Udhëheqësi izraelit thotë gjithashtu se një “përgjigje ndaj përpjekjes së fundit për të na imponuar një shtet terrorist në zemër të vendit tonë” do të jepet pasi të kthehet nga SHBA-ja, ku do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork këtë javë. m.p.