Zbardhet skema! Si ndërhynte Rusia në zgjedhjet në Moldavi

Një rrjet sekret propagande, i financuar nga Rusia, po tenton të ndikojë dhe të prishë zgjedhjet parlamentare të 28 shtatorit në Moldavi, ka zbuluar një hetim i BBC. Qëllimi i këtij operacioni është dëmtimi i partisë qeverisëse pro-BE, duke përhapur propagandë pro-ruse dhe lajme të rreme në rrjetet sociale.

Hetimi, i kryer nga një gazetare e fshehtë e BBC-së, zbuloi se pjesëmarrësit në rrjet u premtoheshin pagesa mujore në këmbim të postimeve në TikTok dhe Facebook që sulmonin partinë qeverisëse PAS, të themeluar nga Presidentja Maia Sandu.

Një organizatore e rrjetit, Alina Juc, i tha gazetares se do të paguhej 3,000 lei moldavë (170 dollarë) në muaj, me paratë që vinin nga Promsvyazbank (PSB) – një bankë shtetërore ruse e sanksionuar, e lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë.

Pjesëmarrësit u trajnuan për të prodhuar përmbajtje manipuluese, madje duke përdorur ChatGPT, por u udhëzuan të shmangnin përdorimin e tepërt të inteligjencës artificiale që postimet të dukeshin sa më organike. Fillimisht, ata krijonin përmbajtje patriotike, por me kalimin e kohës, udhëzimet u bënë haputazi politike, me akuza të pabaza ndaj qeverisë Sandu, si falsifikim votash dhe trafikim fëmijësh.

Një nga detyrat e rrjetit ishte kryerja e sondazheve të fshehta. Gazetarja dhe rekrutët e tjerë duhej të intervistonin qytetarë që mbështesnin opozitën pro-ruse dhe t’i regjistronin fshehurazi, për të krijuar prova të rreme që zgjedhjet ishin manipuluar nëse PAS fitonte.

Këto të dhëna do të përdoreshin si bazë për të vënë në dyshim rezultatin zgjedhor, duke ndezur trazira dhe destabilitet politik. m.p.