Nën titullin “Mos e kthe kokën nga shtëpia që digjet”, një sërë fotografish të Shqipërisë së viteve 90 shfaqen ne një ekspozitë në sheshin ‘Skënderbej’.
Fotografja Jutta Benzenberg foli për çlirim nga trauma, ndërsa imazhe shqiptarësh që dëshmojnë kapërcellin mes dy kohëve, shfaqen në një strukturë të përkohshme. Ndërsa i kanë shpëtuar një shtëpie që digjej, imazhet që herë janë në formën që janë realizuar e herë si kolazhe, dëshmojnë një kohë kaosi që duket e pambaruar.
“Në një Tiranë dinamike që ndryshon e zhvillohet nuk ka shumë hapësira për ekspozita, ndaj gjetëm këtë zgjidhje. Në Berlin kur muzetë janë të mbyllur, ekspozitat çelen jashtë muzeve, në oborret e tyre. Këtë menduam të bëjmë edhe këtu, duke ndërtuar këtë strukturë për të çelur ekspozitën e Juta Benzenberg, ‘’Mos e kthe kokën pas nga shtëpia që digjet”. Liria është diçka që ne e quajmë një shtëpi, nuk është një ndjenjë, dhe uroj që me udhën drejt BE-së liria të shërbejë si institucion social”, tha Gökhan Tuncer, Drejtor i Fondacionit “Heinrich Boll”.
Hapësira e mungesa e saj, si tregues të shoqërisë e sfidave të saj, rimerren në kontekste të ndryshme.
“Më vjen mirë që keni marrë temën e Javës së Evropës këtë vit, “Një hapësirë për të qenë”, me idenë e një hapësirë për artistët. Fotografitë e Jutës, janë një përshkrim i Shqipërisë së viteve ’90, që ishin vite transformimi, shprese, pritshmërish dhe ambiciesh, por edhe zhvendosjesh e emigrimi, humbjesh dhe është e bukur se si I keni hapur në një mënyrë humane. Përballemi me një shkuar shqetësuese”, u shpreh Silvio Gonzato, Ambassador i BE-së.
Imazhet e realizuara nga Benzenberg, luhaten mes bukurisë së imazheve e tragjedisë së një vendi, apo individëve.
“Kur m’u kërkua të skanoja negativët, e kisha të vështirë. Kur po punoja, mezi merrja frymë. Tani falë kësaj pune, jam në paqe me atë që ka ndodhur. E kisha të vështirë të shihja fotografitë e shtëpisë që u dogj, imazhet e tim shoqi. Ekspozita është mbi emocionet e ndërgjegjen. Është historia e Shqipërisë, e imja, e familjes sime. Trauma ime nuk është më aq e fortë” rrëfeu Jutta Benzenberg, Fotografe.
Galeria e përkohshme “Heinrich Boll” e krijuar si përgjigje ndaj mungesave do të kthehet në një hapësirë bisedash e diskutimesh./E.T