Java që sapo nis shënon një ngjarje të veçantë për jetën kulturore të vendit. Java Kulturore Kineze, e cila pritet të sjellë një frymë artistike, muzikore dhe kulinare, duke e shndërruar kryeqytetin dhe qytetin e Elbasanit në qendra të ndërthurjes së traditave dhe dialogut kulturor.
Hapja zyrtare do të bëhet me ekspozitën e dy artistëve të njohur nga Shangai, Wu Jun dhe Lin Zhaoyang, të cilët sjellin në Shqipëri 40 vepra që veçohen për estetikën e tyre të rafinuar, simbolikën e thellë dhe individualitetin e theksuar. Këto krijime jo vetëm prezantojnë një univers të pasur artistik, por gjithashtu dëshmojnë për zhvillimet më të fundit të artit bashkëkohor kinez.
Atmosfera kulturore do të zgjerohet edhe në qytetin e Elbasanit, ku publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një koncert me vepra vokale dhe instrumentale të shquara, duke krijuar një urë emocionale mes dy traditave muzikore. Në Tiranë, holli i Universitetit të Arteve do të bëhet skena e një shfaqjeje unike, ku opera dhe vallëzimi tradicional kinez do të sjellin për publikun shqiptaro-kinez një përjetim artistik të rrallë, që bashkon elegancën dhe mjeshtërinë e artit skenik.
Një tjetër element që pasuron këtë javë është kulinaria. Pedonalja “Murat Toptani” do të shndërrohet në një pikë referimi për shijet autentike kineze, ku vizitorët do të udhëtojnë mes aromave tradicionale, duke provuar receta të lashta dhe përvoja gastronomike që e kanë bërë kuzhinën kineze një nga më të njohurat në botë.
Java Kulturore Kineze nuk është thjesht një program aktivitetesh, por një ftesë për njohje, dialog dhe afrim kulturor mes dy vendeve. Përmes artit, muzikës, teatrit, vallëzimit dhe ushqimit, publiku shqiptar do të ketë mundësinë të përjetojë nga afër një pjesë të trashëgimisë mijëravjeçare të Kinës, duke e përthithur atë në një atmosferë të gjallë, dinamike dhe të paharrueshme./kb