Trump urdhër vartëses së tij: Godit armiqtë e mi! Demokratët: Po shkojmë në diktaturë

Artikull i La Repubblica, nga Paolo Mastrolilli

GLENDALE – “Nuk mund të presim më, në rrezik janë reputacioni dhe besueshmëria jonë”. Me këtë mesazh të thjeshtë në rrjetin e tij social Truth, Donald Trump i dha urdhër sekretares së Drejtësisë, Pam Bondi, të përshpejtojë ngritjen e aktakuzave ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Një shkelje kaq e hapur e frymës së ligjit amerikan, saqë lideri i pakicës demokrate në Senat, Charles Schumer, deklaroi se kjo rrugë çon drejt një diktature.“Kjo është rruga që të çon drejt diktaturës”.Reagim të ngjashëm pati edhe Hillary Clinton.

Por siç ndodh pothuajse gjithmonë me sfidat e presidentit ndaj rendit kushtetues, republikanët heshtën, të zënë duke nderuar kujtimin e Charlie Kirk, i cili vetë e kishte kritikuar fshehjen e dokumenteve sekrete, lidhur me çështjen “Epstein”. Të premten, kreu i Shtëpisë së Bardhë detyroi të japë dorëheqjen prokurorin e distriktit lindor të Virxhinias, Erik Siebert, sepse nuk kishte ngritur padi ndaj Prokurores së Përgjithshme të shtetit të Nju Jorkut, Letitia James, e akuzuar për mashtrim me një kredi. James e kishte akuzuar Trump-in dhe kishte fituar një gjyq civil kundër tij, për shkelje të ligjeve tatimore nga kompania e tij, dhe tani ai kërkon hakmarrje.

Siebert, i emëruar nga vetë presidenti, kishte refuzuar të çonte Letitia James në gjyq, pasi nuk kishte gjetur prova të mjaftueshme. Ai u ndëshkua gjithashtu sepse nuk po e çonte përpara hetimin ndaj ish-drejtorit të FBI-së, Comey. Për më tepër, gjatë procesit të konfirmimit, ai ishte mbështetur edhe nga senatorët demokratë, Warner dhe Kaine. Në fund, Siebert dha dorëheqjen, për të mos shkelur parimet thelbësore të profesionit të tij dhe Trump tani kërkon ta zëvendësojë me ish-avokaten e tij, Lindsey Halligan.

Lexo edhe :  Estonia kërkon konsultime me NATO-n pasi avionët rusë shkelën hapësirën ajrore

Trump pretendon se ka të drejtë të përdorë drejtësinë kundër kundërshtarëve të tij, sepse sipas tij, ata e kanë bërë të njëjtën gjë me të – duke e paditur pesë herë. Por ai harron se është dënuar penalisht për çështjen, që lidhet me marrëdhënien me aktoren e filmave për të rritur, Stormy Daniels, ndërsa hetimet e tjera – si ato për dokumentet sekrete të trafikuara në Mar-a-Lago apo sulmin ndaj Kongresit – kishin baza të forta, por u ndaluan falë shumicës konservatore në Gjykatën e Lartë, e cila në thelb e vendosi atë mbi ligjin. Trump kishte paralajmëruar në fushatën elektorale se mandati i tij i dytë do të bazohej në “hakmarrje”, ndëshkim dhe përndjekje të kundërshtarëve politikë – dhe tani dëshiron të veprojë shpejt. Ai do të veprojë edhe kundër ish-këshilltarit John Bolton, shtëpia e të cilit u bastis nga FBI-ja në kërkim të dokumenteve sekrete apo kundër senatorit demokrat Schiff, fajtor sipas tij për organizimin e procesit të shkarkimit (impeachment).

Sistemi gjyqësor amerikan ka një “mëkat origjinal”: prokurorët e 93 distrikteve federale emërohen nga presidentët dhe mund të manipulohen nga vullneti i tyre. Zakonisht është përpjekur të ruhet paanshmëria, edhe pse John Kennedy emëroi vëllain e tij Bob si Sekretar të Drejtësisë dhe Nixon shkarkoi prokurorin special, që po hetonte për çështjen Watergate. Menaxhimi i Ministrisë së Drejtësisë është pjesë e kompetencave të ekzekutivit, i cili ka të drejtë të zbatojë programin, për të cilin është zgjedhur. Por nuk kujtohet ndonjë president tjetër, që të ketë qenë kaq i vendosur për ta përdorur këtë fuqi për interesat e tij personale dhe për ta vënë në shënjestër opozitën politike./kb