Analiza e DW: Donald Trump e paraqet veten para OKB-së si promovues…

Shtatë luftrave u kam dhënë fund, tha presidenti i SHBA-së Donald Trump në fjalimin e tij në kuadër të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ai e akuzon OKB-në për dështim.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork e paraqiti veten si promovues të paqes. “Brenda një kohe prej vetëm shtatë muajsh u kam dhënë fund shtatë luftrave të pambarueshme”, tha Trump. Ndër to ai përmendi luftën ndërmjet Kamboxhias dhe Tajlandës, Kosovës dhe Serbisë, Kongos dhe Ruandës, Pakistanit dhe Indisë, Izraelit dhe Iranit, Egjiptit dhe Etiopisë si dhe Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Dua vetëm të shpëtoj jetë, jo të fitoj çmime

“Kushdo thotë, që unë duhet të marr Çmimin Nobel të Paqes për këto arritje”, shtoi Trump më tej. “Unë nuk synoj të fitoj çmime, por dua të shpëtoj jetë njerëzish.” Njëkohësisht ai atakoi ashpër OKB-në: “Sa keq, që më duhet mua t’i bëj këto punë në vend OKB-së. Sa e trishtë, që në këto raste OKB-ja nuk është përpjekur as për të ndihmuar.”

“OKB-ja nuk ka qenë këtu për ne. Ato nuk kanë qenë këtu.” Organizata ka “një potencial të madh”, por nuk e shfrytëzon atë. Veçanërisht si promovuese e paqes OKB-ja ka dështuar, kritikoi Donald Trump.

Në fjalimin e tij ai gjithashtu bëri thirrje për një politikë të rreptë migracioni: “Ka ardhur koha, që t’i jepet fund eksperimentit të dështuar me kufijtë e hapur.” Presidenti i SHBA-së e shfrytëzoi këtë tribunë, për të vënë në dyshim, si shpesh herë të tjera, ekzistencën e ndryshimit të klimës – një qendrim i tij ky, që është kundër njohurive shkencore.

Lexo edhe :  Shkëputet kabulli dhe bie teleferiku, humbin jetën 7 murgj budistë në Sri Lanka

Mund të vendosim “dogana të jashtëzakonshme”

Presidenti i SHBA-së në fjalimin e tij iu referua edhe luftës sulmuese të Rusisë ndaj Ukrainës. Ai e kërcënoi Moskën me dogana, njëkohësisht rriti presionin ndaj partnerëve europianë. Në rast se Rusianuk është e gatshme, të arrijë një marrëveshje për fundin e luftës së Ukrainës, SHBA është e gatshme të vendosë një sërë “doganash të jashtëzakonshme”. Që ato të jenë me efekt, kombet europiane duhet të bashkohen me SHBA-në dhe të ndërmarrin të njëjtat masa. “Europa duhet të vendosë marshin”, nuk mund të vazhdojë të bëjë si deri më sot duke blerë naftë dhe gaz nga Rusia.

27 shtetet e BE-së që nga viti 2022 pas invazionit rus në Ukrainë e kanë ndërprerë shumicën e importeve të naftës nga Rusia. Por ka përjashtime për Sllovakinë dhe Hungarinë, që marrin ende naftë nga Rusia përmes linjës Druzhba. Së fundi Komisioni i BE-së propozoi një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë.

Ish-ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, që sot është kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u bëri thirrje vendeve anëtare të OKB-së, që bashkarisht të bëjnë punë më të mirë. Ndër të tjera në sfondin e një sërë luftrave dhe konflikteve në botë “ne duhet të bëhemi dukshëm më të mirë”, tha Baerbock në hapje të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së./DW/kb