Europa League/ Përleshje të dhunshme në Nice, arrestohen 102 tifozë të Romës!

Të martën në mbrëmje në qendër të Nicës pati tension të madh, ku shpërthyen incidente që përfshinin tifozët e Romës në prag të ndeshjes së Europa League midis verdhekuqve dhe ekipit francez. Sipas L’Equipe, 102 persona “në posedim të armëve” u arrestuan dhe u dërguan në paraburgim. Gazeta citoi burime nga policia e Alpes-Maritimes.

Incidentet thuhet se ndodhën në qendër të ‘Sheshit Masséna’, në zemër të qytetit të Rivierës Franceze. Sipas një dëshmitari, të cituar gjithashtu nga Nice-Matin, përleshja filloi pasi disa tifozë, të ulur në tarracën e një restoranti, filluan të hidhnin gota drejt policisë, duke shkaktuar një ndjekje nëpër rrugët e Nicës së vjetër. Disa nga të arrestuarit mbanin kapuça për të mos u njohur.

Mbi 200 oficerë policie, përfshirë dy njësi të lëvizshme, u vendosën në qendër të qytetit për të shuar incidentet. Tifozëve të Romës iu sekuestruan objekte të rrezikshme, të tilla si shufra hekuri, doreza fshesash, tuba plastike, lopata, thika dhe çekiçë.

Ultrasit e Romës u transferuan në stacione të ndryshme policie dhe iu dorëzuan gjykatave nën autoritetin e prokurorit të Nicës. Sekuestrimi dhe reagimi i shpejtë i forcave franceze të rendit parandaluan dhunë dhe dëme të mëtejshme në qendër të qytetit.

Sot në 21:00 Nice dhe Roma luajnë në raundin e parë të Europa League./e.t