Pse u anulua takimi Mitsotakis-Erdogan?

Takimi i planifikuar midis kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, i cili pritej të zhvillohej në Nju Jork në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është anuluar dhe nuk do të riplanifikohet, sipas gazetës greke Kathimerini.

Dy liderët pritej të takoheshin të martën në Shtëpinë Turke, por pala turke kërkoi shtyrjen e takimit, pasi Erdogan ishte duke marrë pjesë në një takim të udhëheqësve arabë dhe myslimanë të organizuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Zyrtarët grekë sugjeruan më pas që takimi të mbahej të mërkurën, por, sipas informacioneve të fundit, ai është anuluar përfundimisht.

Burime qeveritare turke i thanë gazetës Milliyet se arsyeja kryesore e anulimit ishte publikimi paraprak i takimit nga pala greke, duke shkelur një marrëveshje që njoftimi për zhvillimin e takimit të bëhej vetëm pas përfundimit të tij.

Sipas mediave greke, detajet për takimin kishin rrjedhur që të enjten e kaluar, duke krijuar pakënaqësi në Ankara dhe tensionuar atmosferën mes dy vendeve në një moment kur pritej përmirësim i marrëdhënieve dypalëshe. m.p.