Kërkesa e sektorit privat për kredi u rrit përsëri në gjysmën e parë të këtij viti.
Sipas Bankës së Shqipërisë, numri total i aplikimeve për kredi të shqyrtuara nga bankat u rrit me 1.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i aplikimeve, megjithatë, ka qenë në rritje vetëm në rastin e segmentit të individëve (me 2.7%), por në rënie në dy segmentet e tjera (ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me 14.3% dhe ndërmarrjet e mëdha, me 0.8%).
Gjatë gjashtëmujorit të parë 2025, bankat raportuan se kanë marrë në shqyrtim gjithsej 73,646 aplikime për kredi, nga të cilat 92% i përkasin segmentit të individëve. Pesha e kërkesës nga individët është rritur më tej nga niveli prej 91% i një viti më parë.
Megjithëse kërkesa për kredi ka shënuar rritje të ndjeshme, duket se në gjysmën e parë të këtij viti bankat janë treguar më përzgjedhëse.
Në totalin e aplikimeve të marra në shqyrtim gjatë periudhës, rezulton se rreth 30% e tyre janë refuzuar nga bankat. Kjo normë ka shënuar rritje me 5.1 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Rritja e refuzimeve ka qenë më e theksuar në rastin e sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Norma totale e refuzimit ka rezultuar në rritje, si për bankat me kapital vendas dhe për ato me kapital të huaj.
Vihet re se gjatë periudhës, dy grupet bankare kanë shfaqur qëndrime të ngjashme ndaj kërkesave për kredi të individëve, duke vijuar prirjen shtrënguese krahasuar me periudhën paraardhëse dhe krahasuar me një vit më parë.
Ky qëndrim është ndjeshëm më i dukshëm tek bankat e huaja, të cilat kanë refuzuar rreth 40% të kërkesave të individëve, krahasuar me bankat vendase, ku kjo normë ka rezultuar 18%.
Në të njëjtën kohë, të dy grupet e bankave mbeten më pranuese ndaj segmentit të ndërmarrjeve, por prirjet kanë qenë të ndryshme gjatë periudhës. Kështu, bankat e huaja kanë pasur qëndrim shtrëngues ndaj ndërmarrjeve te vogla dhe të mesme, duke refuzuar rreth 20% të kërkesave për kredi, ndërkohë që mbeten të fokusuara në kreditimin e ndërmarrjeve të mëdha, duke refuzuar vetëm 2% të kërkesave të tyre për kredi.
Bankat vendase kanë shfaqur një qëndrimin më të balancuar, duke refuzuar vetëm 5% të kërkesave nga kategoria e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe 5% nga kategoria e ndërmarrjeve të mëdha.
Pavarësisht rritjes së shkallës së refuzimeve, shifrat tregojnë se kreditimi i ekonomisë ka vazhduar të rritet edhe gjatë këtij viti.
Për periudhën janar-korrik, janë dhënë gjithsej 231.9 miliardë lekë kredi të reja, me një rritje prej 10% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë që vitin e kaluar rritja e kredisë ishte mbështetur kryesisht te financimet e bizneseve, këtë vit kontributin kryesor po e jep rritja e huave për individë.
Kredia e re për individët arriti vlerën e 77 miliardë lekëve, në rritje me 26% krahasuar me një vit më parë.
Kreditimi i individëve është mbështetur te një rritje shumë e shpejtë në dy segmentet kryesore, të blerjeve të pasurive të paluajtshme dhe financimit të konsumit.
Ndërsa kredia për bizneset kishte vlerën e 151.3 miliardë lekë kredi, me një rritje prej 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./ Monitor