FSHF sjell ekspertët italianë për të edukuar trajnerët e rinj

Drejtoria Teknike e Federatës së Futbollit zhvilloi sot një seminar të hapur në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, në kuadër të programit të edukimit të trajnerëve. Të ftuar special në këtë seminar ishin dy ekspertë të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Bruno Redolfi dhe Stefano Florit.

Në këtë seminar të veçantë morën pjesë kursantët e UEFA C dhe UEFA B, drejtorët dhe trajnerët e qendrave rajonale, trajneret e programit TDS, si dhe trajnerë nga shoqatat, klubet dhe akademitë e ndryshme nga e gjithë Shqipëria.

Seminari përfshiu një pjesë teorike dhe një pjesë praktike, ku trajnerët e grupmoshave U11 dhe U14 patën mundësinë të njihen me metodikat moderne të trajnimit të të rinjve, të prezantuara nga ekspertët italianë.

Bruno Redolfi, përgjegjës për zhvillimin e talenteve në Shkollën e Zhvillimit të Talenteve të FIGC dhe zëvendës-trajner i ekipit italian U15, dhe Stefano Florit, përgjegjës për metodologjinë në SGS, ndanë përvojat dhe njohuritë e tyre me pjesëmarrësit.

Ky seminar njëditor synoi të përmirësojë cilësinë e punës së trajnerëve shqiptarë dhe të nxisë zhvillimin e talenteve të rinj në futbollin shqiptar, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira në fushën e trajnimit. m.p.