Gazment Bardhi, një nga figurat më të ekspozuara të PD-së në vitet e fundit, javën e kaluar bëri një paraqitje në Kuvend për të cilën vështirë se mund të ndihet krenar. Hedhja e shisheve me ujë dhe e kushtetutës në sallën plenare, në ditën kur duhej të diskutohej programi qeverisës, nuk ishte thjesht një akt proteste. Ishte një skenë që i mohoi publikut mundësinë të njihej me prioritetet e qeverisë, duke shndërruar një seancë parlamentare në një shfaqje të shëmtuar.
Reagimi publik ndaj kësaj sjelljeje nuk ishte aspak në favor të Bardhit. Opinioni, edhe ai më kritik ndaj mazhorancës, e pa me sy kritik shndërrimin e sallës plenare në një arenë zhurme e shisheve. Për qytetarët, të cilët prisnin të dëgjonin prioritetet e qeverisë, kjo skenë dha përshtypjen e një opozite që nuk ka argumente, por vetëm zhurmë. Kështu, Bardhi nuk fitoi as pikë politike, as simpati publike.
Në rastin e Bardhit, kjo sjellje është edhe më e pakuptueshme. Ai e di se akte të tilla nuk i shtojnë asnjë kredibilitet në opinionin publik. Përkundrazi, e paraqesin si një politikan që ka braktisur logjikën racionale dhe është kthyer tek retorika e forcës. Pyetja është: pse e pranon Bardhi një kosto të tillë?
Përgjigjja lidhet edhe me kontekstin e brendshëm të PD-së. Kriza e gjatë, ndarja në kampe dhe mungesa e një figure unifikuese e kanë bërë Bardhin të kërkojë çdo formë ekspozimi. Për një politikan në kërkim të peshës së munguar, të dukesh i gatshëm të “sakrifikosh” është më e rëndësishme se sa të mbash një profil serioz. Prandaj ai pranon ta paguajë këtë kosto, edhe pse është e qartë se nuk i shërben imazhit të tij publik.
Përgjigjja lidhet gjithashtu me atë që mund të quhet “shansi i dytë” i dhënë nga Sali Berisha. Është një praktikë e vjetër e tij: figurave që në një moment i dolën kundër, por më pas u dobësuan politikisht e elektoralisht, Berisha u ofron rikthimin. Jo sepse i respekton apo i vlerëson, por sepse i do të nënshtruar. Të ekspozuar nga gabimet e së shkuarës, të detyruar nga mirënjohja, këta kthehen në militantë më të zellshëm se militantët e zakonshëm.
Ky fenomen nuk është i ri. Përveç themeluesve të PDr dhe Arben Imamit, historia e PD-së njeh raste të ngjashme. E njëjta gjë ndodhi me Neritan Cekën, i cili sapo u “rehabilitua” i kthye në një skifter të Berishës, duke braktisur profilin intelektual, me të cilin krenohej aq shumë. Deri në megalomani. Pra, ata që zgjodhën të kthehen, përfunduan duke u shndërruar në zëra më të ashpër se vetë Berisha. Ky është modeli i përsëritur: kush kthehet, e bën gjithnjë me një militantizëm të shtuar, për të “shlyer” fajet e së shkuarës.
Historia e PD-së e ka treguar këtë model: me ish-themeluesit e PDr që u rikthyen si “të amnistuar”, apo me Arben Imamin, i cili pas rikthimit e tejkaloi vetë retorikën e Berishës. Sot, Gazmend Bardhi është shembulli i radhës. Agron Gjekmarkaj po ashtu. Xhelal Mziu po e po.
Në këtë kuptim, veprimet e Bardhit nuk janë thjesht shpërthime nervash apo akte të pakoordinuara. Ato janë çmimi që paguan për shansin e dytë. Dhe ky çmim, siç tregon e kaluara, është i lartë: humbja e pavarësisë njerëzore dhe shndërrimi në një instrument të përdorshëm sipas nevojës.
E ardhmja e Bardhit mbetet e paqartë. Nga njëra anë, shansi i dytë i jep një rol në skenën politike, duke e mbajtur të pranishëm në Kuvend e në media. Por nga ana tjetër, kjo rrugë ka një çmim të lartë: humbjen e profilit si figurë e pavarur. Nëse Bardhi vazhdon të paguajë këtë kosto, rrezikon të mbetet një figurë e konsumuar, e cila për hir të një rikthimi afatshkurtër sakrifikon perspektivën afatgjatë.