Kurti në SHBA takon kongresistin Self, zbardhen bisedimet

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një takim me kongresistin amerikan nga Partia Republikane, Keith Self. Takimi u zhvillua në mjediset e Konsullatës së Republikës së Kosovës në New York, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kongresisti Self, një mbështetës i deklaruar i Kosovës, dhe kryeministri Kurti diskutuan mbi marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe SHBA-së, me fokus të veçantë në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.

Kurti e informoi kongresistin për investimet e bëra në rritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë pajisjet dhe armatimin e siguruar nga SHBA si pjesë e bashkëpunimit strategjik në mbrojtje. Ai gjithashtu përmendi vendimet e fundit të qeverisë, si pranimi dhe zhvendosja e përkohshme e shtetasve të vendeve të treta nga SHBA, heqja e tarifës doganore për produktet me origjinë amerikane dhe vazhdimi i programit “Kompakt” të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën – të gjitha këto, sipas Kurtit, janë dëshmi e partneritetit të fortë me Shtetet e Bashkuara.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe rëndësia e investimeve amerikane në sektorin privat të Kosovës, ku u theksua roli i diasporës në lehtësimin dhe nxitjen e investimeve të huaja direkte.

Në fund të takimit, kryeministri Kurti e ftoi kongresistin Self për një vizitë në Kosovë dhe e falënderoi për mbështetjen e tij të vazhdueshme për Kosovën, përfshirë qëndrimet pro-anëtarësimit të saj në NATO dhe organizata të tjera euroatlantike. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin me Kongresin amerikan dhe me administratën në Uashington në promovimin e vlerave dhe interesave të përbashkëta. m.p.