Cili apo cila do të jetë kandidat i opozitës për Bashkinë Tiranë është një nga pyetjet që po bëhet më shumë ditët e fundit, por as Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, nuk i dha përgjigje.
Noka nuk dha një përgjigje fikse por i bëri thirrje aleatëve që të dalin me një kandidat të përbashkët.
“Në PD nuk funksionojmë siç funksionon si tek bunkieri i Rilindjes, ku i cakton ai. Unë do vendos për gjithçka tha ai. Në një forcë demokratike ka diskutime, propozime, vendimmarrje.
Do diskutojmë dhe me aleatët. Do i shtrijmë dorën dhe atyre që ndihen opozitar. Duhet të vijnë opozitarët të bashkohen me ne dhe të nxjerrim një produkt të përbashkët. Duroni se do ta shikoni. Rrugën proceduriale do ta ndjekim.” – tha Noka në emisionin “Log” në News 24.
Thirrja për durim duket se është bërë motoja e re e PD-së. Deputetët e PD dalin nëpër studio njëri pas tjetrit, flasin gjatë për bashkime dhe konsultime, por emrin e kandidatit e mbajnë ende ‘sekret’. /E.T