‘Mëkati’ i Sarkozy në detaje: Shpenzoi 42,8 mln euro nga Gaddafi për fushatën

Shpenzimi në 2012 për fushatën elektorale me 42.8 milionë euro, më shumë se dyfishi i parave që lejohen për shpenzim në fushata, disa regjistrime bisedash mes tij dhe avokatit të vet por edhe lidhjet me Gaddafin, duket se kanë çuar në një fund jo të mirë ish-presidentin francez Nikola Sarkozy që u dënua ditën e sotme me 5 vite burg për “konspiracion kriminal” në një çështje që lidhjet me sigurimin e miliona eurove nga Libia për të financuar fushatën e vet.

Sarkozy nuk është i panjohur për Shqipërinë. Vitin e kaluar ai dhe bashkëshortja e tij Carla Bruni qëndruan në vendin tonë, në Kep Merli për pushime, madje u takuan edhe me kryeministrin Edi Rama. Në këtë kohë, Sarkozy ishte akoma duke u gjykuar në gjykatat franceze.

Në fakt, kjo e sotmja, është hera e tretë për Sarkozy, që gjykohet dhe shpallet fajtor për akuza që lidhen me mashtrime financiare.

Prokurorët pretenduan se Gaddafi i kishte dërguar fushatës së suksesshme të Sarkozyt në 2007 miliona euro në para të gatshme, akuza e cila u bë fillimisht nga një nga djemtë e Gaddafi-t.

Pesë muaj pas zgjedhjes së Sarkozy-t si president, Gaddafi e vizitoi në Paris, në vizitën e tij të parë shtetërore në një kryeqytet perëndimor pas dekadash. U vendos një tendë beduine pranë Pallatit Elysee.

Gjykatësi kryesor tha se nuk kishte provë që Sarkozy të kishte bërë një marrëveshje të tillë me Gaddafi-n, as që paratë e dërguara nga Libia kishin arritur te fondet e fushatës së tij, edhe pse koha ishte “e përshtatshme” dhe rrugët që paratë ndoqën ishin “shumë të errëta”.

Por tha se “Sarkozy ishte fajtor për konspiracion kriminal” për lejen që ndihmës të afërt të lidhnin kontakte me njerëz në Libia për të provuar të siguronin financim për fushatën.

Më 18 dhjetor, gjykata më e lartë franceze mbajti në fuqi një vendim kundër Sarkozy-t për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm, duke urdhëruar që ai të mbante një “rrip elektronik për një vit”, rasti i parë për një ish-shef shteti.

Lexo edhe :  Po shkruaj nga burgu: Demokracia turke është në rrezik të madh

Sarkozy është shpallur fajtor edhe për konspiracion për të siguruar një punë të mirë në Monaco për një gjykatës në këmbim të informacioneve të brendshme mbi një hetim që lidhej me pretendimet se ai kishte pranuar pagesa të paligjshme nga trashëgimtarja e L’Oreal, Liliane Bettencourt, për fushatën e tij në 2007.

Avokati i Sarkozy tha se do ta çojë çështjen në “Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Mbrojtja e Sarkozy-t argumenton se është i paligjshëm përdorimi i bisedave të përgjimit telefonik midis tij dhe avokatit të tij, nën një identitet të rremë, si provë për ta dënuar, dhe se gjykatësi nuk mori kurrë punën në Monaco. Ankesa në gjykatën evropiane nuk pezullon dënimin, dhe Sarkozy do të duhet të mbajë rripin elektronik.

Dënimi i Sarkozy për financim të paligjshëm të fushatës në përpjekjen e tij të dështuara për rizgjedhje në 2012 u konfirmua nga një gjykatë apelimesh më 14 shkurt 2024. Ai ka apeluar në gjykatën më të lartë të vendit, që mund të japë vendimin përpara fundit të 2025.

Sarkozy u dënua me një vit burg, gjysma e të cilit u pezullua. Ai gjithmonë ka mohuar akuzat se partia e tij konservatore kishte punuar me firmën e marrëdhënieve me publikun “Bygmalion” për të fshehur kostot e vërteta të fushatës së tij, të shënuara nga evente luksoze që nuk ishin parë më parë në politikën franceze.

Gjatë procesit, Sarkozy hodhi fajin tek disa anëtarë të ekipit të tij të fushatës: “Nuk kam zgjedhur asnjë furnizues, nuk kam nënshkruar asnjë kuotë, asnjë faturë”, tha ai në gjykatë. m.p.