Erion Veliaj është shkarkuar nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Vendimi u mor sot me firmë të kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Vendimi erdhi pasi dy ditë më parë Këshilli Bashkiak miratoi propozimin për shkarkimin e Veliajt me argumentin se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë. Ai ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej arrestimit të tij më 10 shkurt.
Pritet të shihet lëvizja e kryeministrit nëse do ta dërgojë menjëherë vakancën në bashkinë e Tiranës për në presidencë, ku Bajram Begaj do të duhet që të shprehet brenda 48 orëve me një dekret për datën e zgjedhjeve.
Apo kryeministri do të presë afatin 15 ditor, kohë deri kur Veliaj ka të drejtën të ankimojë këtë vendim të shkarkimit në Gjykatën Kushtetuese. Një ankim i Veliajt do të bllokonte çdo procedurë të ndërmarrë, nga miratimi i shkarkimit në Këshillin Bashkiak, vendimi i sotëm i Këshillit të Ministrave dhe deri te mbajtja e zgjedhjeve. Veliaj e ka paralajmëruar mundësinë e një ankimi në këtë gjykatë./e.t